Konkursi vjetor i Fondacionit Mediatik “Dritan Hoxha”

23/05/2012 20:15

Për të dytin vit radhazi, Fondacioni Mediatik “Dritan Hoxha” dha çmimin për gazetarinë më të mirë. Në ceremoninë e rastit, mbajtur në ambientet e Hotel Rogner, çmimi prej 1 mijë eurosh shkoi për studentin Saimir Muzhaka për reportazhin e tij për qytetin e Beratit dhe problematikën që has ky qytet.

Në ceremoninë e dorëzimit të çmimit merrnin pjesë drejtues të Top Medias e të fondacionit “Dritan Hoxha”, gazetarë dhe publicistë nga më të njohurit të letrave dhe medias shqiptare.

Fjala e hapjes së ceremonisë u mbajt nga Drejtoresha e Fondacionit “Dritan Hoxha”, Vjollca Dako e cila falenderoi të gjithë konkurentët për pjesëmarrjen e tyre. Ndërkohë, kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, në fjalën e tij vuri në dukje numrin e madh të konkurentëve dhe synimin e konkursit të fondacionit, që është rritja e profesionalizmit në gazetarinë shqiptare.

Publicisti Remzi Lani vlerësoi punën e themeluesit të Top Medias, Dritan Hoxha, i cili siç tha ai, shndërroi Top Channel në shkollën e gazetarisë profesioniste shqiptare dhe emblemë mbarë-shqiptare.

Ndërkohë, fituesi i çmimit, studenti Saimir Muzhaka shprehu falenderimet për vlerësimet e marra dhe ftoi të rinjtë të marrin pjesë masivisht në nisma të tilla, të cilat, sic tha ai, janë të pakta në Shqipëri.

Çmimi i Fondacionit Mediatik “Dritan Hoxha” dorëzohet në përvjetorin e katërt të ndarjes tragjike nga jeta të themeluesit të Top Medias.

Reportazhi i Saimirit u përzgjodh si shkrimi gazetaresk më i mirë në mbi
300 shkrime të paraqitura nga konkurentët dhe do të botohet i
plotë ditën e enjte në gazetën “Shqip”.

Top Channel