Japoni, përurohet Tokyo Skytree

22/05/2012 00:00

Tokio ka një simbol të ri, të gjatë 634 metra dhe të dukshëm nga çdo
pjesë e qytetit. Shiu dhe qielli me re nuk kanë dekurajuar praninë e
mijëra personave në inaugurimin e Tokyo Skytree, kulla televizive më e
lartë në botë dhe model i inxhinjerisë anti-sizmike.

Me formën e pangatërrueshme të gjilpërës me një antenë të madhe transmetimi televiziv në sinjal dixhital tokësor të vendosur sipër, Skytree ndodhet në lagjen Sumida, përkrah zonës turistike Asakusa.

Ajo është e destinuar të zëvendësojë Tokyo Tower, 333 metra e gjatë, e ndërtuar në vitin 1958 në qendër të kryeqytetit si shenjë e rilindjes së vendit pas Luftës së Dytë Botërore.

Me një kosto prej 65 miliardë jen, ose 650 milionë euro, me peshë 41 mijë tonelata çimento dhe çelik, pas tre vitesh punë me një ritëm prej tre turnesh, me nga 500 deri në 1200 punëtorë, vepra e re përfundoi më 29 shkurt, pasi kaloi testin e tërmetit të 11 marsit 2011.

Në ceremoninë e përurimit, Yoshizumi Nezu, president i operatorit hekurudhor që ka besuar fillimisht në investimin madhor, ka deklaruar se lineariteti i ndërtimit u bë pa probleme të veçanta.

Top Channel