Takimet e Arvizusë me politikanët

21/05/2012 19:35

Ambasadori SHBA në Tiranë Alexandër arvizu e ka nisur javën me disa takime intensive me politikanët shqiptarë.

Pasditen e së hënës fillimisht ai është takuar me themeluesit të partisë Fryma e Re Demokratike, deputetin Gazmend Oketa dhe Aleksandër Biberaj.

Takimi që ka zgjatur 40 minuta ka shërbyer për të njohur ambasadorin me synimet e kësaj force politike. Kjo ishte deklarata e ambasadorit Arvizu pas takimit.

”Patëm një bashkëbisedim rreth partisë së re. Është një ide mbresëlënëse. Ne dëshirojmë t’i urojmë atyre më të mirën”, tha ambasadori.

Ndërkohë partia Fryma e Re Demokratike, për këtë takim, në një njoftim për median thotë se: “Gjatë takimit u bë një prezantim i objektivave kryesore të FRD-së, frymës së re që kjo forcë synon të sjellë në skenën politike shqiptare dhe i punës së deritanishme për të organizuar degët e FRD-së kudo në Shqipëri. U shkëmbyen mendime mbi problematikën aktuale të politikës në Shqipëri, ku vëmendje mori procesi i zgjedhjes së presidentit të ri të vendit që nis pas dy ditësh”.

Menjëherë pas këtij takimi, ambasadori Arvizu është drejtuar për në ambientet e një restoranti në Tiranë, ku për 90 minuta takoi kreun e LSI, Ilir Meta. Takimi është tentuar të mbahet larg vëmendjes së medias. Ambasadori Arvizu dha këtë prononcim kur u pyet nga “Top-Channel” se cili ishte qëllimi takimin me zotin Meta.

”Ne patëm një bashkëbisedim të këndshëm. Folëm për zhvillimet më të fundit dhe procest integruese”, tha Arvizu. i pyetur nëse zgjedhja e presidentit ishte pjesë e bashkëbisedimit, ambasadori, pasi ka buzëqeshur dha këtë përgjigje të shkurtër. “Më së shumti rreth integrimit Europian”. Nga ana e tij, Ilir Meta nuk ka preferuar të prononcohet.

Top Channel