Adele triumfon në çmimet Billboard

20/05/2012 13:10

Adele ishte triumfuesja e madhe e çmimeve Billboard për muzikën duke fituar plot 12 çmime, përfshirë edhe atë të artistes më të mirë të vitit në një ceremoni të zhvilluar në Las Vegas ku mungonin shumë protagonistë.

Këngëtarja britanike fitoi gjithashtu në kategorinë e albumit më të mirë (21) dhe kënga më e mirë alternative (Rolling In The Deep). Adele nuk ishte e pranishme në ceremoni, ashtu si edhe Lil Wayne, i cili mori 4 çmime.

Ata që morën pjesë ishin Justin Bieber dhe Katy Perry, të cilët morën nga një çmim secili dhe performuan në skenë.

Grupi më i suksesshëm ishte LMFAO që çoi në shtëpi plot 6 çmime. Pas tyre u rendit grupi Coldplay me 4 çmime.

Lady Gaga, e cila gjithashtu nuk ishte e pranishme në mbrëmje, mori vetëm 2 çmime. Nicki Minaj dhe Rihanna ishin mungesa të tjera që ranë në sy.

Top Channel