Hervin Culi: Aktorët shkuan në Londër për fundjavë

18/05/2012 19:30

“Sipas komenteve që kam lexuar, unë dal në përfundimin se aktorët kanë shkuar për të kaluar një fundjavë në Londër.” Kështu është shprehur aktori Ervin Culi i ftuar në studion e emisionit ‘Pasdite në Top Channel’.

Culi mendon se pjesëmarrja në festivalin e Shekspirit ishte një mundësi e mirë për teatrin tonë, por që nuk u shfrytëzua aspak: “Ishte një nder i madh dhe sukses pjesëmarrja jonë në këtë kompeticion fantastik, por nuk e kaluam klasën edhe një herë tjetër. Kjo ishte një provë për teatrin shqiptar dhe një derë e hapur që u mbyll. Nuk ka pasur seriozitet në përgatitje nga aktorët. Vetëm disa probleme me dietat janë publikuar në shtyp dhe askush nuk ka pyetur për përzgjedhjen e aktorëve, për përpjekjet që janë bërë dhe për anën artistike.”

Sipas tij, kjo gjë vjen sepse në vendin tonë nuk ka kritikë të mirëfilltë: “Mungon kritika në Shqipëri, por ndryshe ndodh në Londër ku të japin notat që ti meriton. Në Shqipëri nëse dikush del e bën shkrim kritik cilësohet si një njeri keqdashës. Edhe për njërin nga kritikët është shkruar se ka qenë i ashpër sepse është serb. Problemi është se kritika kanë ardhur edhe nga anglezët.”

“Regjisori nuk e ka pasur mendjen tek produksioni, por tek rruga në Londër dhe tek dietat”, sulmon ashpër Culi.

Por nga ana e tij regjisori Adonis Filipi mendon se performanca e Teatrit Kombëtar spikati: “Loja e trupit tonë teatral spikati në ‘Globe Theatre’ dhe kjo u provua nga duartrokitjet frenetike të shqiptarëve dhe anglezëve. Kritika do të bëjë punën e saj dhe unë jam i hapur për të, por ruaj bindjen se kemi bërë një punë cilësore.”

Top Channel