EULEX, arrestime në Shqipëri?!

10/05/2012 19:45

Deputetët e mazhorancës dhe opozitës bashkarisht kanë votuar në Parlament projektligjin “për mardhëniet juridiksionale në çështjet penale me task-forcën hetimore speciale të EULEX-it.

Votimi këtij projektligji zyrtarisht i hap dritën jeshile hetimeve në territorin shqiptarë, në lidhje me pretendimet se gjatë luftës në Kosovë, në një prej spitaleve të UÇK-së në Burrel, është zhvilluar trafik organesh, i pretenduar në raportin e relatorit të Këshillit të Europës, Dick Marty.

Por, ligji në këndvështrimin e  juristëve të së drejtës ndërkombëtare paraqet shqetësim. Disa juriste të kontaktuar nga “Top-Channel” pohojnë se ky ligj cënon drejtëpërsëdrejti të drejtat dhe liritë e garantuara me kushtetutë të qytetarëve shqiptarë.

Problemet nisin që me nenin 9-të  këtij ligji, ku taskforca e EULEX-it dikton hapat që duhet të ndërmarrë gjyqësori shqiptarë: “Autoritetet gjyqësore lokale, në rastin e veprave penale kundra njerëzimit, krimeve të luftës ose krimeve të tjera të rënda kundër vlerave që mbrohen nga drejtësia ndërkombëtare, tentativave për kryerjen e tyre si dhe bashkëpunimin në kryerjen e këtyre veprave penale nuk mund të refuzojë letërkërkesat me shkakun se ato përbëjnë vepra penale me karakter politik”.

Ky nen vlerësohet nga juristët si një imponim sesi duhet të sillen gjyqtarët shqiptarë kur në fakt është vetë BE që në të gjitha raportet e saj vlerëson dhe kërkon që gjyqësori është nje pushtet i pavarur. Edhe neni 15  i këtij ligji, për kontrollet dhe arrestimet ne territorin shqiptar sipas juristëve, janë tejet shqetësues.

“Task Forca Hetimore Speciale e EULEX-it ka autoritet të pavarur:  të dëgjojë dëshmitarë, ekspertë dhe persona të akuzuar në Shqipëri;  të kqyrë mjedise;  të marrë prova të tjera dhe të mbajë çdo dhe të gjitha materialet që janë të rëndësishme për hetimin dhe gjykimin, në pajtim me këtë ligj. Të ndërmarrë ato veprime dhe aktivitete të tjera që mund të jenë të nevojshme për përfundimin e hetimit dhe përgatitjen e zhvillimin e ndjekjes penale në gjykim, në pajtim me kufizimet e përcaktuara në pikën 4, të këtij neni. Këto veprime mund të ndërmerren, sipas rastit, për përfundimin e hetimit dhe përgatitjen e zhvillimin e ndjekjes penale në gjykim, edhe nëse këto nuk cënojnë vullnetin e lirë të individit”, shkruhet në dokument.

Juristët e komentojnë këtë nen si jo të plotë, pasi nëse taskforca e EULEX arreston një shtetas shqiptar me dyshimin e përfshirjes në tregëtinë e organeve dhe më pas rezulton se ky person është i pafajshëm, për shkak të gabimeve të EULEX, duhet të jetë shteti shqiptar që të marre përsipër dëmshpërblimin e tij.

Një tjetër pikë që sjell dyshime dhe lë shume hapësira për intepretim është edhe mënyra e ndalimit ose arrestimit të personave në territorin shqiptar, të cilët mund të kryhen në përputhje me legjislacionin shqiptar, por në të njëjten kohë në ligj thuhet se autoritetet shqiptare mund të asistojnë në aktivitetin e task-forcës, nëse këtë e kërkon kjo e fundit.

SHBA përshëndesin ligjin

Ambasada Amerikane në Tiranë e ka mirëpritur kalimin me konsensus të ligjit për bashkëpunimin me Njësinë e Hetimeve Speciale të EULEX dhe e sheh këtë si provë të angazhimit të Shqipërisë ndaj integrimit europian dhe bashkëpunimit rajonal.

“Njësia e hetimit ka mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara. Ne presim një hetim të plotë dhe korrekt, i kryer me transparencë dhe bashkëpunimin e plotë të autoriteteve vendore e kombëtare” thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane.  

Hetimi, BE mirëpret vendimin e Shqipërisë

Bashkimi Europian ka mirëpritur vendimin, nga Këshilli i Ministrave i Shqipërisë, për të miratuar një ligj që i hap rrugën hetimit të EULEX-it në Shqipëri për akuzat e Dick Marty-t.

Juri Laas, zëdhënës i Task Forcës Speciale Investigative, shpjegoi se ky ligj, i cili frymëzohet nga ligje të mëparshme rajonale në bashkëpunim me Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve në ish-Jugosllavi, dëshmon se EULEX-it i çelet rruga të bashkëpunojë me shtetet ku shtrihet fusha e hetimit.

Shqipëria është një prej shteteve të përfshira në akuzat e Dick Marty-t mbi UÇK-në dhe udhëheqësit e saj për trafik organesh gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Prishtinë, pritet dëshmia e Dick Marty

Ish-senatori zviceran Dick Marty pritet të japë dëshminë e tij për rastin “Medikus” më 18 qershor në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Kryetari i trupit gjykues, Arkadiush Sadek, ka thënë se ende nuk e di nëse  Dick Marty do të vijë personalisht në Kosovë për të dëshmuar apo këtë do ta bëjë nëpërmjet ndonjë videolidhjeje.

Mbrojtja është e bindur se Marty nuk do të vijë fare në Kosovë dhe as që do të dëshmojë në këtë rast, njofton KTV. Prokurori Jonatan Ratel ka propozuar edhe dy dëshmitarë të tjerë në këtë proces. Ai ka thënë se në mungesë të doktor Stojevit, i cili kishte hartuar raportin e forenzikës për ato që ishin gjetur në Klinikën “Medikus”, do të dëshmojë shefi i Departamentit të Mjekësisë Ligjore në EULEX, Alan Robinson.

Gjithashtu Rateli ka ftuar si dëshmitar edhe ekspertin e forenzikës, italianin Cristian Jugoveri, i cili do të flasë për ekspertizën e disa e-mail. Rateli ka bërë të ditur se SHBA-ja kanë ndihmuar për gjetjen e 500 e-maila në adresat elektronike në rrjetet Hotmail dhe Yahoo të Lutfi Dervishit, 10-12 prej tyre, sipas prokurorit, do t’i hynë bukur shumë në punë gjykatës në formën e korrespodencave të Lutfi Dervishit me Jusuf Sonmezin dhe Manfred Phirin.

Megjithatë, mbrojtja ka kundërshtuar thirrjen e dëshmitarëve të rinj, sidomos të ekspertëve të EULEX-it, sepse, sipas tyre, janë të njëanshëm.  

Top Channel