“Top Story”: Liria e medias në Shqipëri

03/05/2012 00:00

Me një homazh për Ardian Klosin, zërin që do t’i mungojë paneleve televizive dhe medias në tërësi, nisi “Top Story” i ditës së enjte, emisioni i përjavshëm politik i Sokol Ballës, që vendosi në qendër të debatit raportin për lirinë e medias në Shqipëri.

Në vazhdën e një raporti të “Freedom House”, që e klasifikon shtypin shqiptar si pjesërisht të lirë, por më rënie në krahasim me një vit më parë, në studio debatuan Mustafa Nano, botues i Respublikës, që për sensing e saj kritik ka qenë gjithmonë në vështirësi financiare.

Përkrah tij, Lutfi Dervishi, i bërë i famshëm edhe nga “Wikileaks”, si drejtori i fundit i balanciar i Televizionit Shtetëror Shqiptar dhe i larguar pas Gërdecit në një kontekst të qartë politik. Gjithashtu në studio, Shpëtim Nazarko, një prej atyre pak kryeredaktorësh që ka provuar të mbajë një gazetë pa mbështetje tjetër veç shtypit dhe Henri Çeili, gazetar, analist, pronar i Universitetit Europian të Tiranës dhe botues i kompanisë “Mapo”.

“Në një nga pasazhet që zgjodhët, Dane (Ardiani) thonte që në Shqipëri nuk ka elitë sepse më të mirët ikin nga Shqipëria, por unë mendoj ndryshe dhe është vetë prania e tij dëshmi e faktit se këtu ka një elitë. Në jehonën që pati vetvrasja e tij mund të ketë pasur edhe teprime, shkrime që e ngrinin dhe e ulnin, por unë e kam njohur mirë dhe ai ishte një njeri që jetonte me shqetësimet publike, gjë e rrallë këtu në Shqipëri. Ai ishte intelektuali që bën beteja publike dhe kjo na mungon të gjithëve”, u shpreh Mustafa Nano.

Duke u ndalur edhe ai tek homazhi, Çeli vlerësoi se: “ Në radhë të parë kam shumë keqardhje për atë që ndodhi, për atë personalisht dhe për atë që do të përpiqet të lërë pas. Përsa i përket modelit, shoqëria i zëvendëson ose i shumëfishon modelet. Nuk është çështje që është mungesë e pazëvendësueshme në tërësi, por do them diçka si ndjekës i Klosit. E kam lexuar vazhdimisht që nga “Quo Vadis” apo refleksionet dhe si të thuash kam gjetur vazhdimisht profilin e intelektualit tipik, një lloj prifti laik i kulturës. Por, sa më shumë jemi kundërshtuar, aq dhe jemi pohuar, sepse jeta pa profile si ai do të ishte e rrezikshme, sepse pushteti do të na kanosej me më shumë rrezikshmëri pa njerëz si ai”.

Duke mbyllur parantezën e të ndjerit Klose, Nazarko ironizoi me raportin e “Freedom House”, të konsideruar prej atij si të paaftë për të zbuluar të vërtetën. “Në këtë përvojë 20-vjeçare të ne personave që kemi punuar me shtypin e lirë, kemi arritur të konstatojmë gjëra që për ekspertët e tyre janë shumë larg, që s’mund t’i kuptojnë sepse këto raporte kanë vlerësime të llojit burokratik.

Ata kanë ca parametra dhe ne e kemi mësuar që duhet të sillemi kështu sa për sy e faqe e nxjerrim raportin. Liria e shprehjes apo gjykimi ka parametra shumë më të thjeshtë për t’u lexuar, prsh në qoftë se nuk di shqip dhe je inspektor i Europës, mjafton të shikosh 30 gazeta të përditshme në një vend me dy milionë banorë dhe e kupton se sa i paorganizuar është ky biznes. Kur mëson që numri i përgjithshëm i tirazhit s’është më shumë se 50-60 mijë kopie, atëherë është e qartë që ky shtyp është aq i papërfillshëm dha pa influencë, sa që qeveria nuk ka nevojë që ta kontrollojë pasi nuk ka asnjë dëm prej tij. Të paktën kështu është për shtypin e shkruar, pasi për televizivin ndryshon disi”, vlerësoi Nazarko.

Si një njohës i vjetër i problematikave të shtypit shqiptar, Nazarko shtoi: “Shpërndarja, si 20 vjet më parë, bëhet prapë për 30% të popullsisë, ndërsa fshati nuk ka ende akses. Shteti duhet të ndërhyjë për ca lloj ekuilibrash, ndërsa shpërndarja është ende amatoreske, me ata gazetashitës që nuk kanë asgjë të përbashkët me mënyrën e shitjes dhe shpërndarjes nëpër botë”.

Për Dervishin, “gazeta është në një prag epokal i ndryshimit të mënyrës se si do të funksionojë gazeta në të ardhmen. Aktualisht, gazetat mbahen me para nga jashtë. Pse nuk ka ndodhur ky hopi cilësor, për shkak sepse ata botues kuptuan që gazetat është mirë t’i përdorësh si mburojë apo shpatë, jo si mision publik. Bizneset, jo aq sa për t’i shërbuer publikut, por për të mbrojtur interesa të tjera, operojnë në këtë fushë. Gazetaria s’të nxit për karrierë. Njoh më pak se dhjetë gazetarë që kanë mbi dhjetë vjet këtë pozicion, që mbushet kryesisht me studentë të rinj, me rroga të vogla.  Dikur me 20 gazetarë, një gazetë ishte nder të botoje, sot është nder mos botosh sepse cilësi ka rënë në mënyrë drastike. Kur produkti nuk është cilësor, nuk blihet. Sistemi nuk funksionon, sepse ato duhet gazeta që nuk funksionojnë duhet të falimentonë dhe të mbeten ato që e meritojnë. Edhe reklamat, jepen jo me audiencë, por për të mbyllur gojën. Sot, të katërt kompanitë e telefonisë shpërndajnë reklama pa përjashtim, pikërisht për këtë arsye, për të blerë kriticizmin ndaj tyre”.

Si një botues dhe njëkohësisht analist, Çili dha një mendim tjetër mbi mënyrën se si funksionon shtypi në Shqipëri. “Liria ka shumë probleme dhe ka ca probleme të reja që nuk janë të lidhura drejtëpërdrejtë me të, por demokracinë e epokës sonë dhe shumë të tjera. Problemi konkret dhe aktual i lirisë së shtypit është ai ekonomik, i mekanizmit mbi të cilin është ndërtuar sektori medias. Paradoks i thjeshtë, sistemi në tërësi, kushton më shumë nga sa mund të grumbullojë, 1/3 me 2/3 humbje. Diskutimi është kush është mekanizmi që do të financojë 2/3 që mungon. Personalisht, e mbaj gazetën “Mapo” me humbje për pasion dhe idetë e mia, të cilat i njëhsoj me interesat e mi legale, pasi më duket e pamundur të ndash idetë nga interesat krejtësisht”.

Analisti dhe kolumnisti, Mustafa Nano vlerësoi se tejngopja e tregut me informacion lë shteg për abuzime me lirinë e botimit. Ai tha se të paktën në median e shkruar, duhet ndërhyrë me anë të një ligji ku të sigurohet që një gazetë të lejohet në treg deri në 2 vjet kur del me humbje, e më pas të mbyllet.

Por ky mendim i zotit Nano u hodh poshtë nga analisti dhe botuesi, Henri Çili, i cili tha se nuk mundet që një ent qeveritar të imponojë mbylljen e një gazete për shkakun e vetëm që ajo del me humbje. Kjo është alogjike, tha Çili, duke shtuar se ligji shqiptar njeh edhe median pa pagesë.

Ndërsa analisti Lutfi Dervishi deklaroi nevojën, sipas tij, që ashtu si në median televizive, ku vihet fre nëpërmjet frekuencave të kufizuara, edhe media e shkruar ka nevojë për limit.

Në pjesën e tretë, Top Story solli një intervistë ekskluzive me ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi mbi lirinë e medias në Shqipëri, në prizmin e një qytetari dhe diplomati të huaj në Tiranë. (Shih videon)

 

Top Channel