Një video që ka qarkulluar kohët e fundit e ka tronditur opinionin publik u bë objekt i bisedës në emisionin e “Pasdites”, në Top-Channel.
Ajo ka qarkulluar në internet kohët e fundit dhe në të tregohet se si pastrohen rrugët e Durrësit nga qentë e pastrehë.
Kjo video e postuar nga aktivistë për mbrojtjen e kafshëve ka ngjallur diskutime në rrjetet sociale për një fakt të thjeshtë, këto kafshë vriten.
Për të diskutuar mbi këtë ngjarje në studio ishte e pranishme Pezana Rexha, drejtore ekzekutive e ARA (organizata jo-fitimprurese për të drejtat e kafshëve në Shqipëri).
Ishte vetë Rexha ajo që xhiroi videon shokuese dhe në intervistën e saj ajo zbuloi: “Ky aksion ka zgjatur gjashtë ditë dhe unë isha në ditën e fundit. Ditën e parë doli informacioni në një gazetë të përditshme, ku thuhej se qyteti kishte gjetur alternativë me organizatë spanjolle, qentë do vaksinoheshin dhe do të merreshin prej tyre. Mesa pashë nuk ishte e vërtetë, vullnetarët tanë na lajmëruan në 1.30 që njoftonin për vrasje masive me armë gjahu. Ditën kur shkuam ne, qitjet u bënë më të sofistikuara, me silenciator. Spastrim ishte absolut, tashmë në Durrës nuk ke asnjë qen dhe kjo ka sjellë rritjen e numrit të maceve që tashmë hanë edhe ushqimin e qenve. Le të shpresojmë që kazanët e plehrave nuk do të helmohen, për të eliminuar edhe ato”.
Në emisionin e “Pasdites”, foli edhe Shyri Gjergji, shef i shërbimit publik në Bashkinë e Durrësit, që pranoi ekzekutimin masiv. “Në qytet ka pasur shumë ankesa nga qytetarët që janë ankuar për qentë, që janë të sëmurë dhe bile edhe kanë kafshuar qytetarë që kanë shkuar në urgjencë mbi dhjetë raste, në periferi të qytetit, në plazh e matanë. U detyruam të marrim masat për eliminimin dhe ekzekutuam mbi 15 tufa, brenda të gjitha parametrave të nevojshme”, u shpreh ai.
I pyetur për videon shokuese, Gjergji u shpreh: “Unë se kam parë videon, por ne kemi vepruar në bazë të ankesave që kemi pasur nga qytetarët për problemet në fjalë. Është ankesa qytetare ajo që na detyroi të vepronim kështu”, shtoi Gjergji.
Duke u rikthyer në studio, drejtoresha e ARA-s, shprehu besimin e saj se eliminimi është i strukturuar dhe i mirëorganizuar. “Pa dyshim që është një aksion i menduar hollësisht. Rastësisht, më ra në dorë gazeta e vitit 2003, prapë kjo periudhë e vitit, që fliste për ekzekutim masiv të qenve. Ndodh kudo, edhe pse Durrësi është i vetmi i evidentuar me video, Prrenjasi dhe çdo qytet tjetër në Shqipëri gjen këtë alternativë. Mua më duket e tmerrshme jo vetëm nga pikëpamja brutale e vrasjes, por edhe sepse rrezikohet shëndeti publik, kur qëllohet me armë në atë orë të vonë të natës”.
Në bazë të një ligji shqiptar, kafshët që ekzekutohen duhet të përmbushin disa kushte dhe të seleksionohen paraprakisht. Por, kjo nuk ndodh në asnjë rast. “Nuk seleksionohet asnjë kafshë. Me ligj të datës 29.9. 2011, qentë që paraqesin agresiviet e sëmundje, duhet të kontrollohen nga veterinerët dhe më pas merren masa për asgjesim, por asnjëherë në këtë mënyrë, por me gjilpërë, pa shkaktuar trauma e zgjidhje barbare dhe as njerëzit nuk terrorizohen”, vlerësoi Rexha.
Nuk është vetëm Shqipëria një vend problematik përsa i përket ekzekutimit të qenve. Disa koha më parë, Ukraina u vendos gjithashtu në vëmendjen e mediave ndërkombëtare për një fushatë masive asgjesimi. “Greqia absolutisht nuk është më problem dhe mund të them se ai është një prej vendeve që respekton më shumë të drejtat e kafshëve. Në Europë, vende problematike janë tashmë Ukrainë, Rumania dhe Shqipëria, çka tregon se jemi ende shumë pas në mënyrën e trajtimit të kafshëve, në lidhje me vendet e tjera europiane”.
Në fund, Pezana lëshoi një apel ndërgjegjësimi, duke i kërkuar që të gjithë pronarët e qenve, të sterilizojnë kafshët e tyre. “Ka shumë familje që nxjerrin qentë, të cilët lënë pasardhës në rrugë dhe duhet të jemi të ndërgjegjshëm, për të gjithë ata që kanë qenë shtëpiak, që të sterilizohen. Qentë e fshatit do vijnë, për tre muaj do të jenë prapë plot me qen. Sterilizimi është e vetmja mënyrë, natyra i selksionion më pas vetë përgjithësisht, qentë e rrugës nuk jetojnë gjatë. Për më tepër, sterilizimi ul edhe agresivitetin tek kafsha”.
Top Channel