Rama: Ja pse mbështetëm Vishën

14/04/2012 19:30

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama nëpërmjet një editoriali të botuar në faqen e tij zyrtare, iu është përgjigjur kritikave të adresuara nga disa analistë e media, për vendimin e socialistëve që mbështeti në Kuvend avokatin Ardian Visha për anëtar të KLD-së.

“Duke mbështetur kandidaturën e Ardian Vishës, avokatit të Fatmir Mediut, ne nuk ndërruam asnjë presje në qëndrimin tonë ndaj krimit shtetëror të Gërdecit”, nis editorialin e tij Rama.

Rama thotë se mirëkupton kritikat, por këmbëngul se ato janë të nxituara dhe keqkuptojnë Partinë Socialiste.

Por pse PS mbështeti Ardian Vishën, ish-avokat i Fatmir Mediut në çështjen e shumëpërfolur të Gërdecit?

Kjo shpjegohet me tre arsye, sipas zotit Rama, e para për personin e Vishës, si njeri i papërlyer me korrupsion e me integritet të lartë moral, e dyta i spikatur profesionalisht, që nuk ka rënë ndonjëherë në sy për mungesë profesionalizmi dhe e treta: “Mbështetëm një kandidat jopartiak për të synuar vota përtej pakicës sonë parlamentare”, shkruan tekstualisht vetë Rama.

Vendi i lënë bosh në Këshillin e Lartë të Drejtësisë pas largimit të Kreshnik Spahiut, u plotësua nga Elis Çefa që mori 71 vota në parlament ditën e enjte, në një votim elektronik që për opozitën mbetet i jashtëligjshëm.

Top Channel