Berisha: Do të heqim imunitetin

12/04/2012 01:00

Pjesëmarrës në konferencen e organizuar nga PPE në mbështetje të partive të djathta në Ballkan, kryeministri Sali Berisha tha për gazetarët në Bruksel, se qeveria e tij po punon për marrjen e statusit të vendit kandidat në vjeshtë. Berisha theksoi se qeveria e tij është e angazhuar të heqë imunitetin dhe se është në një proces serioz reformash në luftën ndaj korrupsionit.

I pyetur mbi marrjen e statusit kandidat këtë vjeshtë kryeministri Berisha tha: Bindja ime është se qeveria do të bëjë gjithçka për të përmbushur detyrimet e saj. Deri tani unë mund të them se opozita po përmbush detyrimet e veta. Ky është mendimi im dhe ky ishte vlerësimi im këtu. Tani, jam i bindur.

TCH: Po qeveria, po i përmbush të vetat..?

Berisha: Po punon intensivisht për t’i përmbushur, dhe po i përmbush. Natyrisht ky është një proces. Të kuptohemi, ky është një proces i cili përsoset në mënyrë të vazhduar. Qeveria po punon me seriozitetin më të madh në të gjitha fushat, në mënyrë që të arrijë standartet e kërkuara.

TCH: Zoti Berisha, ju folët dhe për korrupsionin në panel.

Berisha: Sigurisht…dhe do flas.

TCH: Dhe korrupsioni mbetet shqetësim serioz si para qeverisjes suaj, edhe më pas. Si e vlerësoni faktin që gjatë dy mandateve të qeverisjes suaj, nuk ka pasur asnjë ministër të akuzuar, qoftë edhe zv/kryeministër, të akuzuar për korrupsion, që të jetë dënuar?

Berisha: Tani, e rëndësishme është që kjo është qeverisja e parë ku hiqen imunitete.

TCH: Imuniteti nuk ishte problemi në rastin e zotit Meta.

Berisha: Të lutem, një hiqen imunitetet. Kjo është qeversja e parë e ti nuk gjen ndonjë vend tjetër, në të cilin vetëm dy ditë më parë, të jenë vendosur para ligjit 7-8 zyrtarë së bashku. Pra, kjo është qeverisja e parë në të cilën ka një proçes serioz reformash në luftën kundër korrupsionit, dhe ka një politikë penale të qëndrueshme kundër tij. Tani, si e shpjegon faktin? Unë dy gjëra mund të them. Drejtësia shqipëtare, pavarësisht nga hiatuset që ka, por në rast se i referohesh 2 momenteve, flasin më shumë se të gjitha akuzat e tjera. Së pari, në vitin 2005 popullata e burgjeve në tërësi ishte afërsisht 1800, sot është 5000, rreth 5 mijë, e mos harro se janë këta gjykatës që japin përditë drejtësi. Së dyti, 60% e proçeseve në të cilat qeveria paditet, fitohen nga pala tjetër.

TCH: Por, jo kur bëhet fjalë për ministra e deputetë zoti Berisha, se dakord për qytetarët…

Berisha: Jo, penalizohet qeveria po them unë, dhe qeveria përbëhet nga ministra dhe kryeministri.

TCH: Kush është ministri që është penalizuar zoti Berisha?

Berisha: Më fal, edhe një herë, pra nëse 60% e vendimeve jepen jo në favor të qeverisë, do të thotë se kjo drejtësi funksionon në mënyrë të pavarur. Tani, a duhet të kemi koka turku apo nuk duhet të kemi. Unë jam që të kemi shtet ligjor të fortë. Kjo është ajo që mund të të them unë.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel