Në seancën e së enjtes, përveç votimit për anëtarin e ri të Këshillit të Lartë të Drejtësisë pritet të merret edhe nje vendim tjetër i rëndësishëm, që do të zgjidhë ngërçin ligjor për mandatin e deputetit socialist të lënë bosh nga Rudina Seseri.

I mbledhur në mesditë, këshilli i mandateve ka rënë dakord që të jetë seanca plenare dhe jo ky këshill ai që do të njoftojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për plotësimin e vendit vakant.

Këtij modaliteti ligjor të propozuar nga demokratët, socialistët i kanë bërë rezistencë që në fillim, duke kërkuar që çështja të mbyllet me një kërkesë të këshillit të mandateve për KQZ-në dhe jo më një vendim të të gjithë deputetëve në seancë.

Megjithatë, pas diskutimeve me tone jo dhe aq konsensuale, palët kanë arritur kompromisin, që siç shpjegon anëtari i këshillit të mandateve, Kastriot Islami, përmban edhe një pikë tjetër të rëndësishme, të propozuar nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në mënyrë që Parlamenti të mos vendoset më në një situatë të tillë.

“U vendos që kjo cështje të zgjidhet në seancë, në një sens të përbashkët dhe në funksion që kjo situatë politike specifike të mos ndodhë më. Një nga pikat që duhet të jetë në reformën zgjedhore është ajo që, kandidatit në listë për deputet t’i lihet mundësia për tërheqje kur të kandidojë për qeverisjen vendore”, deklaroi Islami.

Këtë opinion këshilli i mandateve do ta shprehë në Parlament nëpërmjet një raporti konsensual, për të cilin po punojnë demokrati Viktor Gumi dhe socialisti Damian Gjiknuri.

Çështja e mandatit të Rudina Seserit u kthye në ditët e fundit në një luftë politike mes dy partive të mëdha, të cilat hodhën një seri akuzash në adresë të njëra-tjetrës.

Kryeministri Sali Berisha akuzoi kryetarin socialist Edi Rama, se po përpiqet të gjejë pretekste të reja për të bllokuar reformat dhe se qëllimisht dogji afatet për t’iu drejtuar Gjykatës së Apelit.

Ndërsa kryetari i PS, Rama, në reagimin e tij, i cilësoi deklaratat e Berishës si “absurditete” dhe akuzoi kryeministrin se po kërkonte të nsite konflikte.

Top Channel