Berisha: Mandati? Ligjet janë të qarta

09/04/2012 00:00

Duke sqaruar se Partia Demokratike nuk ka patur dhe nuk do të ketë kurrë
qëllimin për t’i marrë Partisë Socialiste mandatin e lënë nga deputetja
Seseri, kryeministri Sali Berisha tha me të njëjtën bindje se
pasardhesi në listen e deputetëve socialistë, kryetari i Bashkisë së
Fushë-Krujës,Gjon Bardhi gjendet aktualisht në një pozicion
antikushtetues me dy mandate.

Duke folur per here te pare rreth kesaj çeshtje, sipas kryeministrit Berisha, Gjon Bardhi duhet te ishte terhequr nga lista e kandidateve per deputete te PS-së, përpara se të kandidonte për Bashkinë e Fushë-Krujës.

Duke hedhur poshte, ate qe e quajti rolin e supergjykates qe opozita kerkon t’i jape Keshillit te Mandateve, kryeministri fajesoi socialistet per inskenim të qëllimshëm të kesaj situate të paqartë.

“Qëllimshëm lanë të digjen të gjitha afatet për t’iu drejtuar Gjykatës së Apelit, nëqoftëse i ishte bërë një padrejtësi nga KQZ dhe kërkojnë të bëjnë gjykatës, Komisionin e Rregulloreve të Parlamentit, i cili nuk ka asnjë tagër tjetër përveçse për t’iu drejtuar parlamentit me mendimin e tij, sepse nuk ka atribute gjykate; kërkojnë të bëjnë kryegjykatëse kryetaren e Parlamentit, vetëm për akuza politike”, tha Berisha.

Kryeministri e konsideroi si kërcënim për marrëveshjen apelin, që kreu i opozites Edi Rama i bëri një javë më pare, kur i kërkoi kryeministrit të heqë dorë nga mandati i opozitës, duke shpresuar se kjo nuk do të kthehej në një krizë politike.

“Nëqoftëse ti i bën, ose merr pjesë në reforma për hir të maxhorancës dhe e konsideron veten argat të maxhorancës, asnjë ditë mos bashkëpuno! Nuk e kemi argate opozitën. Këto shëmbëllejnë me një mikro-byro politike…’po s’u bere gjykatës ti dhe të marrësh atribute të Gjykatës së Apelit unë do të bëjë këtë e atë’…se është një popull mes këtu nuk ka rëndësi”, tha Berisha.

Kryeministri Berisha i cilesoi te paverteta edhe qendrimet se çështja e mandatit të një deputeti socialist ka të bëjë me numrat për zgjedhjen e presidentit. Ai i analizoi me një objektiv tjetër lëvizjet politike të Edi Ramës.
 
“E gjithë beteja që bëhet është se si t’i bashkojë aleatët me Bamirin dhe i la pa mend, i ka mbajtur deri tani me premtime mashtrimi dhe tani u thotë që tani të shkojnë te Bamiri…”, tha Berisha.

Rama: Berisha do konflikt

Kryetari i PS, Edi Rama, duke reaguar për deklaratat e Berishës në lidhje me mandatin e deputetes Seseri, i ka cilësuar ato si absurditete të dala nga goja e kryeministrit.

Rama ka renditur një sërë rastesh si ato të Gjykatës Kushtetuese, asaj të Lartë dhe antarëve të bordit të Këshillit të Radio Televizionit kur mandatet sipas tij, mbahen peng në mënyrë anti-kushtetuese nga kryeministri në sirtarin e kryetares së Kuvendit, arbitralisht duke abuzuar me pushtetin. Rama ka sqaruar hapat e ndjekur nga opozita konform ligjit për zëvendësimin e këtij mandati.

“Mandati i deputetit të opozitës s’ka asnjë lidhje me krahasimin qesharak të kryeministrit, kur ai flet për rastin e mandatit të një kryetari bashkie. Gjon Bardhi vendosi të zgjedhë qëndrimin në detyrën që ka dhe dorëzoi me shkrim një deklaratë në Kuvend. Detyra e Kuvendit ishte të njoftonte KQZ-në për të plotësuar vendin bosh”, ka deklaruar Rama.

Rama ka hedhur poshtë deklaratën e kryeministrit se PS për këtë çështje duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. “Kjo duhet të vazhdojë sipas radhës me kandidatin tjetër, përmes Kuvendit. Është Kuvendi që merret me proçedurat e dorëheqjes dhe jo partia. Sali Berisha vetëm rikonfirmohet si shpërdorues i shfrenuar i pushtetit, duke shkelur edhe vullnetin e popullit të sovranizuar në Kuvend”, ka pohuar Rama.

Të gjithë këtë histori Rama ia ka atribuar kryeministrit, për të cilin siç theksoi kryesocialisti, kjo është një ëndërr për hapjen e një konflikti me opozitën, si një formë justifikimi për të mbuluar dështimet.  

Top Channel