Majko: Topin s’e shohin si President

07/04/2012 19:55

Ish-ministri socialist i Mbrojtjes, Pandeli Majko skandalin e Ministrisë së Mbrojtjes me anashkalimin e presidentit Bamir Topi, në emërimin e kreut të Flotës Detare nuk e shikon thjesht si një gabim administrativ, siç u justifikua ministria që drejton Arben Imami, por si vijimin e klimës së tensionuar mes mazhorancës dhe institucionit të Presidentit të Republikës.

“Sigurisht që publiku e di për vakuumin që ekziston midis mazhorancës dhe Presidentit. Mendoj që kjo është edhe reflektimi kësaj situate për të cilën diskutojmë. Nuk duhet ta shikojmë situatën thjesht me formalizimin e një marrëdhënie midis një Presidenti dhe një Ministri Mbrojtje. Bëhet fjalë për dy korrente politike tanimë, të cilët kanë filluar ta diskutojnë marrëdhënien e tyre si korrente politike, për fat të keq dhe jo si nga pozitat e Ministrit të Mbrojtjes dhe Presidentit të Republikës. Zoti Topi nuk shikohet sot si President Republike, por si kryetari një partie të ardhshme që do t’i krijojë probleme në zgjedhjet e 2013-s”, thotë Majko.  

Krahas evidentimit të prapavijës së pastër politike të mazhorancës për të minimizuar rolin e kreut të shtetit, Pandeli Majko shpjegon edhe problemin e mungesës së ushtarakëve me gradën e gjeneralit.

“Ka mungesë gjeneralësh, në dhënien e gradës që zgjidhet përsëri midis Komisionit të Gjeneralëve më të vjetër të cilët me votim të fshehtë i propozojnë Ministrit të Mbrojtjes për emërimin e gjeneralëve të rinj që shkon për t’u mbyllur me dekret tek Presidenti Republikës. Aktualisht Flota Detare nuk ka një numër 1 që të ketë gradën e gjeneralit pasi detyrimisht komandanti i Forcave Detare duhet të jetë i gradës së gjeneralit apo admiralit”, sqaron ish-ministri i mbrojtjes, Pandeli majko

Përballë kësaj situate ku në mënyrë flagrante është shkelur Kushtetuta a do të ishte i drejtë një dorëheqje nga ana e Ministrit të Mbrojtjes Arben Imami? Kjo është përgjigja e zotit Majko:

“Në Shqipëri janë bërë gabime më të rënda se sa ky, në raport me forcat e armatosura. Të diskutosh sot dorëheqjen e Ministrit të Mbrojtjes është një komoditet që për situatën politike s’ja vlen ta diskutosh apo ta kërkosh thjesht si moment moral për arsyet ku ndodhet mazhoranca është e kotë të kërkosh dorëheqjen në këto kushte. Mendoj se nuk do të ketë ndryshime qeverie deri në zgjedhjet e  ardhshme. Prandaj duke qenë realist në këtë këndvështrim mendoj se nuk duhet të ëndërrojmë gjëra që nuk ndodhin në Shqipëri”, shprehet Majko.

Top Channel