Blushi: PS, aleancë me votuesit

06/04/2012 19:55

Deputeti Ben Blushi deklaroi se Partia Socialiste duhet të bëjë një aleancë me votuesit për të kompensuar, siç tha ai, aleancat e vogla ose ato të padobishme.

Gjatë një bashkëbisedimi me studentët, për letërsinë dhe politikën, Blushi tha se socialistëve u duhet një program më i mirë dhe më reformator për të ardhur në pushtet.

“Si çdo parti tjetër e madhe, edhe PS duhet të bëjë një aleancë me votuesit. Ne shpresojmë që kjo aleancë, përmes një programi më të mirë, më reformatorë e më të plotë, do të jetë e nevojshme për të ardhur në pushtet. Gjithashtu, një aleancë me votuesit do na kompensojë aleancat më të vogla ose të padobishme që ekzistojnë sot”, deklaroi Blushi.

Deputeti socialist vlerësoi se e majta në Shqipëri duhet të përpiqet të krijojë një rrugë të re dhe të ketë diçka më shumë, pasi sipas tij gjatë kësaj kohe ajo nuk ka pasur avancimin e duhur.

“Ne nuk kemi pasur fatin që në vitet e para të shekullit të kishim një industrializim siç ndodhi në Evropë. Ata që punonin mbetën një shtresë modeste. Sot bota ka ndryshuar dhe po ashtu edhe e majta. PS nuk duhet të mbajë peshën që mbante e majta para 15 vjetësh”, nënvizoi Blushi.

Top Channel