KiE: 21 janari, hetim i pavarur

04/04/2012 19:20

Raportuesit e Këshillit të Europës, Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenco, në përfundim të vizitës 3-ditore në Tiranë dhanë një konferencë për shtyp nga ku deklaruan se situata në Shqipëri në krahasim me vizitën e tyre vitin e shkuar ka ndryshuar dhe se shpresonin që klima aktuale politike të vazhdojë.

Të pyetur nga Top-Channel se çfarë informacioni kishin mundur të mblidhnin për çështjen e 21 Janarit, Tomas Jirsa tha se kjo çështje ishte prezente në të gjitha takimet e zhvilluara.

“Është një pyetje e rëndësishme për vëndin tuaj. Patëm një takim me prokuroren e përgjithshme, zonjën Rama dhe komisionin hetimor parlamentar. Çështja është ende në hetim dhe nuk do ishte e drejtë të komentonim apo jepnim ndonjë gjykim. Institucionet e përfshira në këtë çështje duhet të jenë të pavaruara dhe të lira për të hetuar dhe kjo ngjarje të ketë një rezultat”, deklaroi Jirsa.

Ndërsa Grigore Petrenco deklaroi se gjatë takimeve është biseduar edhe për imunitetin e deputetëve dhe gjykatësve, si një çështje me rëndësi për Këshillin e Europës. Zoti Petrenco dha edhe një koment të shkurtër në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ri.

“Çështja e imunitetit është shumë e rëndësishme dhe e diskutuam gjerësisht me autoritetet shqiptare. Ndërkohë, u siguruam që Kushtetuta do të zbatohet përsa u përket zgjedhjeve të ardhshme presidenciale”, deklaroi ai. 

Gjatë qëndrimit të tyre në Tiranë, raportuesit u takuan fillimisht me kryetarin e PS, Edi Rama, i cili u premtoi atyre vullnetin e opozitës për të votuar ligjet me 3/5.

Ndërsa më vonë ata u takuan me presidentin e Republikës, Bamir Topi, ku “Plani i Rishikuar i Veprimit” në kuadër të përmbushjes së 12 prioriteteve kyçe të Opinionit të Komisionit Evropian, u vlerësua si një hap i domosdoshëm për të realizuar aspiratën e popullit shqiptar për integrim zyrtar në BE. 

Top Channel