Të paktën 12 persona kanë vdekur pasi një zjarr i fuqishëm ra në një treg në jug të Moskës, që përdorej nga punëtorë emigrantë.
Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet ruse, sipas të cilave, tregu përdorej gjithashtu nga tregtarët për të jetuar.
Zjarri në tregun Kaçalovski erdhi disa orë pasi një zjarr ra në një grataçelë në Moskë, nga i cili për fat të mirë nuk pati të plagosur.
“12 persona humbën jetën. Ata ishin emigrantë. Aktualisht po përpiqemi të zbulojmë se nga cili vend kishin ardhur”, deklaroi një zëdhënës i Ministrisë së Emergjencave.
Zjarri ra rreth orës 04:50 të mëngjesit dhe u shua nga zjarrfikësit vetëm tre orë më vonë, raporton agjencia e lajmeve ruse “RIA Novosti”.
Më herët një tragjedi tjetër u regjistrua në Rusi, pasi një aeroplan pasagjerësh me 43 persona në bord u rrëzua në Siberi pak pas ngritjes në fluturim, duke shkaktuar 32 viktima dhe 11 të plagosur.
Aeroplani “ATR-72” ishte nisur nga Tyumeni dhe kishte destinacion qytetin Surgut. Në bord gjendeshin 39 pasagjerë dhe 4 pjesëtarë të ekuipazhit.
Nuk dihet ende se çfarë e shkaktoi rrëzimin e avionit, por Ministria e Transporteve ka nisur një hetim. Kutia e zezë është gjetur dhe pritet që përmes saj të zbardhet shkaku i aksidentit.
Top Channel