Bello: Shitja e Albpetrolit, antiligjore

28/03/2012 00:00

Ish-zëvendësministri i Ekonomisë, Pajtim Bello, një njohës i mirë i
privatizimeve strategjtike në Shqipëri shprehet se privatizimi i
Albpetrolit është i pajustifikuar ekonomikisht, por dhe ligjërisht.

“Ligjërisht hidhet një hap i gabuar sepse fushat e dhëna në marrëveshjet koncensionare të Albpetrolit, quhen të privatizuara, pra quhen të privatizuara si asete, që janë dhënë në përdorim edhe fushat, por nuk janë shitur fushat, siç shiten në këtë rast. E parë në tërësi është e pajustifikuar dhe nuk ka asnjë lloj arsye që të bëhet ky privatizim, përveçse le të mendojmë që në këtë privatizim ka disa lloj prapaskenash që shqiptarët do t’i shohin gradualisht në procesin e privatizimit, kjo sepse të gjithë e morën vesh që është i vetmi rast ku do të shiten 100 për qind të aksionit, pra nuk janë shitur në asnjë rast tjetër në sektorin strategjik”, tha Bello.

Por pak dite e pare, ministri i Ekonomisë, Nasip Naço deklaroi se shitja e Albetrolit, po behet edhe pasi shteti nuk mund të kontrollojë marrëveshjet ekzistuese koncesionare, të dhënat për vendburimet e naftës.

Pajtim Bello thote se pas kësaj deklarate, ministrit dhe qeverise nuk i mbetet veçse të japë doreheqjen, duke shpjeguar edhe arsyet.

“Të deklarosh një gjë të tillë, duhet të pranosh se ke humbur kontrollin në fushën që drejton, pra vetë ministri e ka humbur, por e ka humbur edhe qeveria. Kontrolli humbet në dy raste, ose kur ministri është i paaftë, ose kur trysnia politike dhe interesat që rrinë pas politikës janë shumë të forta, ose të kompletuara,të koordinuara të dy bashkë këta faktorë, dhe mesa duket në këtë rast janë të dyja edhe paaftësia edhe trysnia politike”, tha Bello.

Sipas zotit Bello, shitja e Albpetrolit, pa specifikuar vendburimet, eshte nje rast i paprecedentë, qe lidhet sipas tij me prapaskena politike apo përfitime të dyshimta.

“Siç u pa në Parlament ishte edhe kulmi i asaj që u quajt skandal, fakti që po votohej një aneks, në një letër të bardhë, pra një aneks i pashkruar, por vetëm që shkruhej në ligj, aneksi C. Këtu kulmon një degjenerim politik institucional i maxhorancës dhe i vetë Parlamentit, sepse është si t’i japësh një çek të bardhë, dikujt që ta përdorë, pra ai aneksi C është një çek i bardhë për ministrin, për Qeverinë apo për dikë që pret të marrë 100 për qind aksionet e Albpetrolit”, tha Bello.

Javen e kaluar maxhoranca e djathte ne Parlament votoi pro privatizmit te 100 për qind te aksioneve te  Albpetrolit. Sipas ligjit, me blerjen e Albpetrolit, kompania private fiton pronesinë totale jo vetem te pasurive fizike, por edhe mbi drejtat e posaçme, përfitimet e veçanta që merr shteti nga kompanitë e huaja, që kanë marrëveshje koncesioni ekzistuese.

Top Channel