Kryeministri Sali Berisha ka shkarkuar të hënën Drejtorin e Përgjithshëm të ALUIZN-it, Shaban Memia dhe në vend të tij ka emëruar ish-deputetin e Partisë Demokratike, Ardian Kollozi.

Zoti Memia e mbante këtë detyrë që nga viti 2006, ndërsa prej disa muajsh kryeministri Berisha kishte dërguar ekipin e auditit për një kontroll në zyrat e ALUIZN-it, kontroll ky që u pasua fundvitin e shkuar me lajmin e dorëheqjes së zotit Memia.
 
Përplasja në fakt nisi në fillim të tetorit 2011, kur Shaban Memia shkarkoi nga detyra drejtorin e ALUIZN-it për Tiranën, Ferdinand Shehu. Ky i fundit u kthye në detyrë sërish disa ditë më vonë po me urdhër të kryeministrit, ndërsa prej gati pesë muajsh historia e Shaban Memisë në fakt ka qenë e paqartë deri në vendimin e sotëm të kryeministrit Berisha.

Të martën pritet që Drejtori i ri i emëruar nga shefi i qeverisë, Ardian Kollozi, të bëjë edhe prezantimin para stafit.

Kollozi ka qenë deputet i Partisë Demokratike në Vlorë. Në zgjedhjet lokale të majit të vitit të shkuar ai la mandatin e deputetit për të garuar për kreun e Bashkisë së Vlorës, betejë të cilën e humbi përballë Shpëtim Gjikës.  

Cështja e legalizimit është një problem që nuk ka marë zgjidhje në këto 7 vite të qeverisjes së demokratëve dhe vetë kryeministri Berisha ka qenë kritik disa herë edhe publikisht.

Top Channel