Anëtarësimet e reja në PS

25/03/2012 00:00

Partia Socialiste vijon anëtarësimet e reja. Në Pogradec dhe Korçë 520 të rinj morën kartën e anëtarësisë nga vetë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Në fjalën e tij kryetari Rama ka dashur të theksojë ndryshimin mes një opozite parimore dhe një mazhorance sipas tij të korruptuar. Zoti Rama e ilustroi këtë me çështjen e të përndjekurve politikë, një shtresë që historikisht ka qenë elektorat i djathtë. Propozimi i socialistëve për ta ulur moshën e dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë ish-të përndjekur, është, sipas zotit Rama, një çështje drejtësie sociale.

“Përgjigja që na japin është: C’ punë keni ju me të përndjekurit? Nuk jeni ju që duhet të flisni për ata. Ndërkohë që përgjigjia jonë e thjeshtë dhe e qartë është: Puna juaj në qeveri është jo të merreni me ne se çfarë themi, por është të bëni që ato që thoni të jenë vepra dhe jo fjalë që i marrin zvarrë prej 22 vjetësh dhe po i çojnë në varr të padëmshpërblyer as moralisht dhe as financiarisht të përndjekurit”, u shpreh Rama.

Për të ilustruar zhëgënjimin e ish-të përndjekurve nga qeveria e djathtë, kryesocialisti Rama lexoi një mesazh, që sipas tij i kishte dërguar një ish-i përndjekur: “I burgosur politik, Dodë Miri nga Gurzi i Laçit. Zoti Rama, ju falenderoj përzemërsisht për kontributin që po jepni për të burgosurit politikë dhe për pronarët dhe që jeni bërë shkak për përfshirjen e moshës 75 vjeç për përfitimin e parave. Unë që po të shkruaj kam bërë 22 vjet burg politik dhe kam 11 të pushkatuar nga regjimi i Enver Hoxhës dhe deri më sot nuk kam marrë asgjë. Do të mbështes Partinë Socialiste!”

Vala e anëtarësimeve të të rinjve në Partinë Socialiste është ndërmarrë pas 20 vjetorit të FRESSH-it, moment që shënoi një riaktivizim të forumit rinor socialist.

Top Channel