Homonime të dëmshme

22/03/2012 00:00

Dorian Koçi – Nuk e di pse, sa herë që dëgjoj emërtimin bastion në shqip, gjithmonë në
mënyrë të pavetëdijshme më vjen ndërmend dhe emërtimi Bastijë, emërtim
që më kujton kështjellën e famshme në qendër të Parisit, rënia e së
cilës më 14 korrik 1789 shënon dhe fillimin e Revolucionit Francez.

Natyrisht që me një vështrim të parë rreth kontekstit nuk është e vështirë të kuptosh se këto dy fjalë pothuajse homonimike në shqiptim, por jo në të shkruar nuk kanë ndonjë gjë të përbashkët, por konteksti sociologjik që i ka afruar politika shqiptare në këto njëzet vjet shoqërisë shqiptare i bën ato të dyja për fat të keq jo vetëm homonime në të shqiptuar, por dhe në kuptim.

Burgu i Bastijës ishte i njohur në Francën e para revolucionit si vendi simbol i pushtetit dhe sundimit të plotë monarkik, çka i jepte një rëndësi të veçantë jo vetëm në fjalorin politik të kohës, por dhe në ndërgjegjen e ndrydhur të nënshtetasve francezë, pasi termi qytetar nuk kish lindur akoma në atë kohë.

Ndaj dhe rënia dhe marrja e saj shërbyen si shkëndija për të ndezur një zjarr më të madh të revoltës popullore, pasi në këtë mënyrë u vra frika dhe nënshtetasit e përulur të monarkisë franceze u shndërruan në qytetarë të Revolucionit Francez. Krejt i kundërt është krijimi i emërtimit bastion në fjalorin politik të kohërave tona moderne. Ai ka lindur më vonë pas zhvillimit të demokracisë së drejtpërsëdrejti nëpërmjet votimeve të lira, dhe fillimit të korruptimit të alternativave partiake, ku nëpërmjet sistemit të vjetër të klientelës politike, zonave të veçanta u premtohej më tepër favore politike në shkëmbim të mbështetjes së pakufishme të tyre në votime. Si fenomen i shfaqur pas përmirësimit të sistemeve zgjedhore që zë fill pas revolucioneve industriale në Europë, ai në fakt nuk shërbeu për të rritur më mirë nivelin e përfaqësimit të zgjedhësve, por në të kundërt shërbeu për të krijuar një fenomen të ri të demokracive në zhvillim-verbërinë politike aq të dëmshme për artikulimin dhe legjitimitetin e alternativave partiake.

Raporti i vendosur mes zgjedhësve dhe përfaqësuesve të vet politikë në këtë rast vendosej jo nëpërmjet parimit demokratik të llogaridhënies nga ana e përfaqësuesve politikë ndaj zgjedhësve të tyre, por nëpërmjet një besueshmërie të pafund nga ana e bastioneve politike dhe kinse privilegjeve të veçanta që ato përfitonin nga klasa politike. Ndodhte dhe vazhdon të ndodhë që zgjedhësit të jenë të zhgënjyer nga përfaqësuesit e tyre, por kur marrëdhëniet e tyre reflektonin ato të një bastioni-klasë politike ishte dhe vazhdon të jetë e vështirë që zgjedhësit të kërkojnë llogari për mosmbajtjen e premtimeve. Në demokracitë e konsoliduara në Perëndim, ky fenomen sa vjen e ngushtohet, pasi nocioni politik “qytetar” i lindur që në Revolucionin Francez sa ka ardhur dhe është përmirësuar, ashtu si është përmirësuar dhe sistemi partiak me partitë politike catch for all, të cilat i largohen ideologjisë dhe mundohen të përfaqësojnë një shtresë më të gjerë qytetarësh sesa zgjedhësit e vet tradicionalë.

Për fat të keq në Shqipëri, edhe pas njëzet vjetësh vazhdon që sistemi elektoral dhe ai partiak të reflektojë frymën e vjetër të bastioneve. Partitë politike kanë ndërtuar kështjellat- Bastijë të obskurantizmit të tyre militant gjithandej nëpër Shqipëri, duke e ndarë vendin në parcela partiake. Kjo frymë partiake dhe dëmshme për shoqërinë është e ndjeshme si perceptim negativ, sidomos në zgjedhjet, qoftë në ato të përgjithshme, në të cilat qytetari zgjedh ekzekutivin që do ta qeverisë katër vjet apo dhe ato lokale ku qytetarëve u duhet të votojnë për alternativën më të mirë qeverisëse, pasi autoriteti i zgjedhur i komunës apo bashkisë do të ketë influencë të drejtpërsëdrejti në jetën e tij të përditshme. Por ashtu si ka ndodhur rëndom, qytetarët shqiptarë pothuajse në të gjitha zgjedhjet vazhdojnë të votojnë sipas tendencës së vjetër të bastioneve, duke reflektuar frymën e vjetër të alternativave partiake. Kjo është një nga arsyet që në Shqipëri gjen shumë probleme në qeverisjen qendrore apo komuna dhe bashki të keqqeverisura, pasi zgjedhësit e tyre nuk arrijnë dot të kapërcejnë me hapin e madh, hendekun që i ndan nga nënshtetas të zakonshëm drejt qytetarit racional që di të zgjedhë të ardhmen e vet.

Zgjedhjet e ardhshme janë një shans i mirë që qytetarët shqiptarë të fillojnë të shkatërrojnë “Bastijat” e tyre të autoritarizmit të alternativave të besnikërive partiake dhe të fillojnë një epokë të re të së mbrujturit të tyre si qytetarë aktivë të një demokracie në vazhdim. Në këtë mënyrë ata jo vetëm që do i afrojnë vetvetes një alternativë të mirë qeverisëse, por do t’i shërbejnë dhe forcimit të demokracisë vendore në vend, duke mos u dhënë mundësi partive politike që të aplikojnë fenomenin e shëmtuar të klientelave politike dhe duke u shtuar atyre si vlerë, atë të inicimit të vlerave humane të meritokracisë dhe qeverisjes së mirë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel