Shqip, Mars ’97, “Titaniku i shqiptarëve”

19/03/2012 00:00

Shqip risjell në kujtesë, ndoshta një ndër ditët më të dhimbshme në historinë e popullit shqiptar, 15 vite më pas ndodhjes së saj. Po flasim për mbytjen e anijes Kateri i Radës që u mori jetën 84 shqiptarëve, pjesa më e madhe nga Vlora dhe rrethinat e saj.

Kateri i Radës u nis nga porti i Vlorës rreth orës 03:00 të pasdites së datës 28 Mars. Kur arriti pranë brigjeve të Brindizit, pikërisht në atë që quhet Kanali i Otrantos, Kateri i Radës u godit në anën e djathtë nga anija ushtarake, “Sibillia”. Goditja ishte fatale dhe anija shqiptare mori një të çarë të madhe. Uji nisi të vërshonte në bord dhe për 7 minuta, sipas rrëfimeve të mbijetuarve, anija u fundos.

Ja një kronologji e shkurtër e ngjarjes:

28 Mars 1997 – Në Kanalin e Otrantos anija ushtarake italiane Sibilla godet dhe shkakton mbytjen e anijes shqiptare Kateri i Radës. 118 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, udhëtonin drejt Italisë me një anijë të vjetër ushtarake të nxjerrë jashtë përdorimit. Në portin e Brindizit autoritetet italiane largojnë menjëherë 34 të mbijetuarit, i hipin nëpër autobuse, sa më larg gazetarëve. Tri ditë më parë qeveria shqiptare dhe ajo italiane, e kryesuar nga Romano Prodi kishin nënshkruar një marrëveshje që autorizonte Italinë t’i ndalte emigrantët edhe në ujërat shqiptare. Në këmbim të ndihmave.

29 mars 1997 – Admirali Alfeo Battelli, që kishte koordinuar operacionet në det një ditë më parë jep urdhër për hapjen e një hetimi të brendshëm në marinën ushtarake. Nga ky hetim del se kontakti mes Sibilla-s dhe Kateri i Radës ka qenë një nga shkaqet e mbytjes, ndërsa arsyeja e vërtetë duhej kërkuar në “zhvendosjen e papritur të pasagjerëve në anijen shqiptare”.

Prill 1997 – Deputetja Irene Pivetti, ish-kryetare e Dhomës së Deputetëve, deklaron se për të përballuar mbërritjen e mijëra shqiptarëve, ata duheshin hedhur në det. Për këtë deklaratë kërkon falje pas 14 vjetësh, gjate një misioni  në Vlorë të organizatës së saj joqeveritare.

19 Tetor 1997 – Pas një operacioni të vështirë katër ditor anija e specializuar “Performer”, nxjerr nga 800 metra nën det Katerin e Radës. Brenda gjenden 58 trupa, kryesisht gra e fëmijë. Bashkë me reliktin në sipërfaqe del dhe e vërteta: shenjat e dy goditjeve të pësuara nga anija shqiptare, ashtu siç patën treguar të mbijetuarit, janë të dallueshme. Në molin e Brindizit asnjë autoritet, as italian e as shqiptar nuk pret viktimat. Vetëm një rresht i gjatë trupash, veshjesh dhe sendesh që duhen identifikuar, dhe të afërmit që duhet të përballojnë aktin, ndoshta më të dhimbshëm të jetës së tyre.

Prill 1998 –Leonardo Leone de Kastris, zëvendësprokurori i ngarkuar nga Gjykata e Brindizit për hetimet paraprake përfundon hetimet: shkruan hapur për manipulim të provave fotografike dhe xhirimeve e regjistrimeve të kryera nga anijet italiane. Nuk ka prova të mjaftueshme për të nxjerrë në gjyq admiralet Guarnieri e Battelli, në krye të operacionit. Akuzat prekin vetëm Namik Xhaferrin, në timon të Katerit të Radës dhe Fabrizio Laudadio, kapiteni i Sibilla-s. Në një seancë dëgjimore, në vitin 2000 ky i fundit deklaron:

“Unë nuk ia kam prerë kurrë trajektoren motovedetës shqiptare, flitet për anije që kanë prerë rrugën. Unë nuk e kam bërë një gjë të tillë. Kam qendruar gjithnjë në një distancë anësore prej rreth njëzet metrash, madje edhe pesëdhjetë metrash a më shumë”.

19 mars 2005 – Përfundon në Brindizi gjyqi i shkallës së parë: Namik Xhaferri dënohet me katër vjet heqje lirie, ndërsa kapiteni italian me tre vjet. Vendoset që relikti i anijes t’i kthehet shtetit shqiptar.

29 qershor 2011 – Pas 13 orësh debat, trupi gjykues ul dënimet për dy komandantët: Tre vjet për Namik Xhaferrin dhe dy vjet për kapitenin Laudadio. Vendoset shkatërrimi i reliktit të Katerit të Radës.

29 janar 2012 – Në Otranto inaugurohet monumenti i emigracionit, i krijuar nga skulptori grek Kostas Barotsos me pjesën e sipërme të anijes fatkeqe shqiptare. Të pranishëm dhe autoritetet e Marinës Ushtarake Italiane.

Dy pjesë të Katerit të Radës, pulti i komandës dhe busulla do të kthehen në Vlorë, ku artistët shqiptare Arta Ngucaj dhe Arben Beqiraj do të realizojnë me to një vepër arti në një shesh të qyte

Në një lidhje direkt nga Vlora, pikërisht në atë që vlonjatët e quajnë “Porti 0”, vendnisja e Katerit të Radës, i mbijetuari i tragjedisë së Otrantos 15 vite më parë, Krenar Xhavara risolli kujtimet e hidhura nga fundosja e anijes. Ai akuzoi marinën italiane se fundosi qëllimisht Katerin e Radës dhe shtoi se familjarët e viktimave dhe të mbijetuarit do ta çojnë këtë çështje deri në Gjykatën e Strasburgut.

Pjesa e dytë e Shqip iu kushtua e gjitha intervistës së Ermal Rrapushit, një ndër 34 personat e mbijetuar nga tragjedia i cili humbi të ëmën.

Ermali tregoi me guxim castet e fundit para fundosjes së anijes. Që nga kontakti viziv me anijet luftarake italiane e deri tek mbërritja e “vrasëses” Sibilla. Ai tha se para se të godiste Katerin e Radës, Sibilla manovroi përreth 60 minuta.

Për Ermalin fajtori kryesor në këtë tragjedi është shteti shqiptar, e më pas fqinji, Italia. Shteti dhe politika thotë ai, katandisi Vlorën dhe gjithë Shqipërinë në këtë gjendje.

Në pjesën e tretë foli gazetari dhe shkrimtari italian, Alessandro Leogrande i njohur për shkrimet e tij për Tragjedinë e Otrantos. Gazetari Leogrande foli për pengesë në hetimet. Sipas tij provat u zhdukën qëllimisht.

“U zhdukën qëllimisht regjistrimet që përmbanin bisedën e kryer nga anijet në det dhe bazës në tokë në fraksionin kohor kur u mbyt Kateri i Radës, dhe kjo nuk është rastësi”, tha ai.

Leogrande la të kuptohej se ka patur urdhëra nga lart për të mos hetuar thellë për tragjedinë.

Top Channel