Partia Republikane, aleat kryesor i demokratëve, u deklarua sot kundër qeverisë për projektligjin për pronat.

“Kjo iniciative nuk i jep zgjidhje problemit, por e përkeqëson atë. Qeveria më këtë ligj po i jep goditje pronarëve, pasi një vendim i tillë nuk mund të merret pa i pyetur ata”, deklaroi nënkryetari i Partise Republikane, Alfred Seshati.

Nënkryetari theksoi se PR gjykon, se projektligji i miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave mbi kalimin pa shpërblim të pronës private është një goditje e rëndë për zgjidhjen e problemit përfundimtar të pronarëve të ligjshëm.

“Eshtë detyrim i Qeverisë dhe Parlamentit që të zgjidhë përfundimisht çështjen e pronës private, konform Konventës Europiane, Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, për më tepër që ky është një nga 12 kushtet për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Përfaqësuesi ynë në qeveri ka kërkuar që ligjet që janë në proces nuk mund të kalojnë pa marrë mendimin e pronarëve të ligjshëm, të cilët kanë mbetur skllevër vetëm për shkak të konjukturave politike. Komiteti i Verifikimit të Titujve të Pronësisë me ligjin e vitit 2008 ka patur si detyrë që të verifikojë të gjitha paligjshmëritë për përfitim abuziv të tokës, sipas ligjit 7501 dhe vendimit të qeverisë për tokat e ish-fermave bujqësore. Deri më sot nuk është bërë asgjë. Cdo dhënie e titujve të pronësisë, në kurriz të kthimit dhe kompensimit fizik të pronës tek pronari i ligjshëm bie ndesh me kërkesat e ligjshme të pronarëve dhe rekomandimeve të vazhdueshme të Bashkimit Evropian dhe si i tillë një proces është i papranueshëm nga republikanët”, tha Seshati.

Nënkryetari, në emër të PR-së kërkoi që këto projektligje të mos kalojnë në Kuvend pa marrë mendimin e pronarëve si zotër të pronave të tyre. Zoti Seshati theksoi se politika,Qeveria dhe Parlamenti nuk janë janë pronarë, por shërbëtorë të së drejtës së pronarëve të ligjshëm.

Top Channel