“Me votën e tij të djeshme i tha botës demokratike dhe Europës mirë se vjen dhe mirë se të gjeta”, këto ishin fjalët e kryeministrit aktual, Sali Berisha më 23 mars 1992, një ditë pas votimit të 22 marsit që solli në pushtet pas dekadash diktaturë, partinë e parë opozitare në Shqipëri.

Në 20 vjet në Shqiperi kanë ndryshuar shumë gjëra, por vazhdon të mbetet e pandryshuar motoja për ta “bërë Shqipërinë si gjithë Europa”.

Me këtë mesazh demokratët do të mblidhen sërish më 22 mars 2012 në Tiranë për të festuar atë që lideri historik i demorkatëve, Sali Berisha e cilëson si “dita e parë e demokracisë së shqiptarëve” dhe që pas 20 vjetësh e gjen Shqipërinë si vend anëtar të NATO-s, ndërsa shqiptarët, jo më si një nga popujt më të varfër të botes, por si qytetarë që lëvizin të lirë në Europë.

“Sot, krahasuar me 20 vite më parë, qytetarët e këtij vendi, të rejat e të rinjtë kanë 20 herë më shumë motive për t’u bashkuar me ne. Ofrojuni atyre ftesën tonë, dëshirën tonë, vlerësimin tonë të madh për energjinë e tyre, për kontributin e tyre, për mendjen e tyre, në shndërrimin  realitet të projektit të Shqipërisë europiane të Partisë Demokratike”, tha kryeministri Berisha.

Duke reflektuar se cfarë ka ndryshuar këto 20 vjet, kryeministri Berisha vuri në dukje forcën e shqiptarëve për të zëvendësuar dëshpërimin me optimizmin, nën moton, që sic tha ai e ka drejtuar këto 20 vjet, se “Shqipëria mund të bëhet”.

“Shumica natyrisht besonte se Shqipëria do të bëhej, por të panumërt ishin ata që nuk besonin se Shqipëria mund të bëhej. E vërteta është se ajo kohë ishte hamletiane dhe po t’u rikthehemi eksodeve të paimagjinueshme, ishin rezultat i përgjigjes se Shqipëri nuk mund të bëhet. Këto 20 vite faktuan se Shqipëria mund të bëhet dhe mund të bëhet me vendosmërinë dhe shpejtësinë më të madhe, duke konsoliduar më shumë ligjin, dmth liritë e qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.

Në këtë 20 vjetor të fitores së parë të zgjedhjeve, duke ftuar të rinjtë t’i bashkohen Partisë Demokratike, Berisha paralajmëroi se kjo do të jetë dita kur forca që ai drejton do të nisë jozyrtarisht edhe përgatitjet për fushatën e ardhshme elektorale, me synimin shumë ambicioz për të marrë një fitore si ajo e 20 viteve më parë.

Top Channel