Shëndetësia, PS mbledh grupin e punës

09/03/2012 00:00

Partia Socialiste ka mbledhur grupin e interesit për të prezantuar programin e saj qeverisës për sistemin e shëndetësisë në kuadër të mbledhjes së ideve për platformën “Për një Rilindje shqiptare”.

Në takim merrnin pjesë organizata, shoqata të ndryshme si dhe mjekë e qytetarë të interesuar për këtë cështje. Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama theksoi nevojën që cdo qytetar të ketë të drejtën e një shërbimi shëndetësor korrekt.

Zoti Rama e quajti sistemin aktual shëndetësor, me në krye Ministrinë e Shëndetësisë si një organizatë partie duke shtuar se shërbimi mjekësor duhet të jetë për të gjithë njësoj, si për personat e siguruar si për ata që janë jashtë skemës së sigurimeve.

“Sistemi shëndetësor është rrënuar, njerëzit nuk marrin gjithmonë shërbimin karshi pagesës. Aktualisht Ministria e Shëndetësisë është një organizatë partie. Shërbimi shëndetësor do të jetë për të gjithë njësoj, i siguruar apo jo. Një pjesë e qytetarëve shqiptarë janë të papunë dhe të pasiguruar”, tha Rama.

Ai theksoi se profesionistët e vërtetë janë lënë në kushte fyese për dinjitetin e tyre në sistemin e shëndetësisë dhe
më tej shpalosi sfidat e opozitës për këtë sektor, që do të zbatohen me ardhjen e saj në pushtet.

“Sfida jonë është t’u rikthejmë qytetarëve besimin e humbur te shëndetësia. Në 1/5 e territorit të vendit nuk ka asnjë shërbim shëndetësor. Do kemi zgjerimin e shërbimit farmaceutik të kualifikuar në vend. Në sistemin shëndetësor Mungesa e ilaçeve është bërë e zakonshme. Do të ketë një reformë të dakortësuar do ikin vetëm të paaftët. Profesorët e shquar, pa dallim politik do të jenë partnerët tanë për reformimin e sistemit”, tha Rama.

Kryetari i Partisë Socialiste nënvizoi se 1 milion shqiptarë janë jashtë sistemit të shërbimit shëndetësor dhe premtoi heqjen e TVSH-së për barnat mjekësore.

MSH: Rama s’merr vesh nga shëndetësia

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar ndaj akuzave të kreut të PS, Edi Rama, ndaj këtij dikasteri, të cilin e cilësonte si një organizatë partiake.

Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e MSH ka deklaruar se kryetari i opozitës bën akuza në një kohë kur nga ky sistem nuk e ka haberin.

“Rama derdhi mllef ndaj Ministrisë së Shëndetësisë. Rama tha se shëndetësia do të jetë si në kohën e komunizmit. Rama nuk di se çfarë është Organizata Botërore e Shëndetësisë”, ka deklaruar zëdhënësja.

Ajo ka theksuar se në vitet e fundit në sektorin shëndetësor janë kryer reformat më të mira dhe investimet më të mëdha.

“Sot për herë të parë çmimet në këtë sektor janë më të ulëta se kurrë. Investimet në spitale dhe aparatura moderne janë bërë gjithandej. Megjithatë, ne jemi të ndërgjegjshëm që reforma është një rrugë e gjatë”, ka shtuar zëdhënësja.

Top Channel