Në tryezën për arsimin, organizuar pikërisht në ditën e festës së mësuesve, socialistët renditën një radhë të gjatë dështimesh, që sipas tyre e kanë kthyer këtë sektor në simbol të dështimit nën qeverisjen aktuale.

Më parë deputetja Ledi Shamku bëri një ekspoze të gjerë të programit të selisë rozë për arsimin, duke analizuar në detaje të gjithë elementët bazë të tij.

“Ne synojmë të bëjmë një përmirësim cilësor të mësimit dhe mësimdhënies. Synojmë t’iu japim mundësi të barabarta të gjithëve, pavarësisht kush është e nga vjen”, deklaroi Shamku.

Më pas kryesocialisti Rama theksoi se opozita do ta kthejë arsimin në binarët e zhvillimit duke i dhënë vendin prioritar që sipas tij meriton.

Një ndër pikat ku zoti Rama u ndal ka qenë standartizimi i universiteteve private, diplomat e të cilëve ai i krahasoi me letrat me vlerë të shpërndara vite më parë e që nuk i shërbyen kurrë, sic tha ai, shqiptarëve.

“Shqipëria sot ka 1 milion të papunë. Si mund ta mundim neve papunësinë dhe varfërinë pa u dhënë njerëzve asnjë zanat, por vetëm diploma që janë zhvlerësuar krejt për shkak të një sistemi që prodhon papunësi? Si mund ta mundim ne papunësinë dhe varfërinë pa ndërtuar një sistem arsimor që reflekton nevojat e tregut të punës? Si mund ta nxjerrim fshatin nga kthetrat e varfërisë pa krijuar kushte për arsimimin bujqësor?”, u shpreh Rama.

Kreu i PS tha se hapi i parë do të jetë ndërtimi i një koalicioni të fortë me trupat pedagogjike dhe prindërit, si një kusht themelor për reformën e plotë e të vërtetë të arsimit shqiptar.

“Këto pikpyetje e të tjera do marrin përgjigjen e duhur në programin tonë të ri dhe do hyjnë në rrugën e zgjidhjes gjatë qeverisjes që do të vijë pas zgjedhjeve të ardhshme e që do mbështetet mbi këtë program”, theksoi Rama.

Dy ditë më parë u zhvillua tryeza kushtuar kulturës, ku Rama premtoi një qasje të re ndaj artit, duke e vendosur në kontekstin e një vendi që nëpërmjet krijimtarisë artistike, të ndërrojë edhe politikën ndaj kulturës.

Më herët gjatë muajit, kreu i PS mblodhi tryezën e radhës ku vëmendja iu kushtua ish-të përndjekurve politikë, ku deklaroi se, me këtë kategori vetëm është abuzuar.

Ndërsa në fund të muajit të kaluar, tryeza e radhës iu kushtua çështjeve të mprehta sociale me të cilat ndeshet shoqëria shqiptare, ku Rama akuzoi qeverinë Berisha dhe institucionet e varura prej saj se mashtrojnë me shifrat mbi varfërinë.

Top Channel