Ngjela mbështet deklaratën e Topit

07/03/2012 00:00

Kryetari i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela përshëndeti deklaratat e bëra një ditë më parë nga presidenti Topi në adresë të kryeministrit.

Ngjela tha se Berishën dhe Enver Hoxhën i ka bashkuar otomanizmi, ndërsa shtoi se ish-sigurimsa ndodhen sot në PD dhe në qeveri.

“Fotot e bëra nga kryeministri, me rangjet e larta të diktaturës komuniste, të përmendura nga Topi, janë shenja thelbësore që tregojnë se ky kryeministër vazhdon rrugën otomane të Enver Hxohës, të shprehur në doktrinën e tij në librin për Lindjen e Mesme”, deklaroi Ngjela.

“Të gjithë bashkëpunëtorët e sigurimit që kanë drejtuar dhe drejtojnë PD-në bashkë me Berishën, janë shtrati i otomanizmit në Shqipëri”, theksoi më tej kryetari i PLD.

Ditën e martë, presidenti i Republikës bëri në një seri akuzash të ashpra ndaj kryeministrit Berisha, pikërisht pas akuzave të bëra një ditë më parë nga ky i fundit në drejtim të tij.

Në një ceremoni në kujtim të viktimave te komunizmit, presidenti hodhi poshtë deklaratën e kreut të qeverisë, se refuzoi të firmoste ligjin për lustracionin, duke bërë përgjegjës Berishën për dështimin e tij.

Kryetari i shtetit deklaroi se është Berisha që ka 22 vjet që vetëm u premton ish-të përndjekurve dhe pronarëve, por nuk u realizon asgjë.

Gjithashtu, ai i kërkoi atij që më parë se të akuzojë, të sqarojë pozicionin e tij si komunist që në vitin 1968 dhe fotot e shumta me anëtarët e byrosë politike.

Top Channel