Banorët që kanë braktisur qytetin qëndror sirian të Homsit, kanë deklaruar për BBC-në se forcat e sigurisë janë duke kryer krime mizore atje.
Një grua tha për BBC-në se në periferi të Homsit ushtarët i kishin prerë fytin djalit të saj 12-vjeçar të premten, një ditë pasi luftëtarët rebelë u tërhoqën nga distrikti i Baba Amr.
Ajo tha gjithashtu se 35 burra dhe djem nga zona e saj, ishin arrestuar dhe vrarë.
Qeveria ka mohuar qasjen e Kryqit të Kuq në Baba Amr për të katërtën ditë rresht, duke përmendur shqetësimin për sigurinë. Aktivistët kanë paralajmëruar për një katastrofë humanitare.
Energjia elektrike, uji dhe komunikimi janë ndërprerë, dhe në ditët e fundit temperaturat kanë rënë, ndërsa reshjet e borës kanë filluar të bien. Nga ana e tjetër bëhet e ditur se furnizimet ushqimore janë të pakta.
Top Channel