Viktimat e genocidit serb në Kosovë janë përkujtuar me anë të një ekspozite në Muzeun Historik Kombëtar në kryeqytet.

Në ceremoni ishin politikanë, historianë si dhe familjarë të personave që humbën jetën dhe vuajtën pasojat e raprezaljeve të ushtrisë serbe.

Ekspozita përkon edhe me një nga ngjarjet më të dhimshme në historinë e popullit të Kosovës, masakrën e Prekazit në Drenicë në mars të vitit 1998, në të cilën u vranë barbarisht nga forcat policore serbe 57 anëtarë të familjes Jashari, ndërmjet tyre edhe Adem Jashari, ish-Komandant i UCK-së. Nipi i tij Murat Jashari, foli për dhimbjen e familjes por edhe për sakrificën e tyre në shërbim të cështjes kombëtare.

“Më mirë të sakrifikohet një njeri për të shpëtuar familjen dhe më mirë një familje për të shpëtuar një komb të tërë. Të bashkohemi me veprimet tona që e ardhmja të jetë më e mirë duke e nderuar të kaluarën të ndërtojmë të ardhmen”, tha Murat Jashari, nip i Adem Jasharit.  

Kryeministri Berisha, i cili ishte i pranishëm, u shpreh se populli ynë ka vuajtur shumë dhe ndaj tij janë bërë shumë padrejtësi, të cilat nuk duhet të harrohen.

“Tirana duhet të ketë një muze të genocidit kundër shqiptarëve në mënyrë që brezat të shohin se cilat ishin sakrificat e parardhësve të tyre”, tha Berisha.

Dhuna serbe është ushtruar mbi popullin e pafajshëm të Kosovës për një kohë shumë të gjatë. Ekspozita përkujtimore përfshin dokumenta, fotografi dhe histori të cilat kanë ndodhur nga viti 1833 deri në clirimin e Kosovës nga ndërhyrja e forcave të NATO-s në vitin 1999.

Top Channel