Është e mundur që njerëzit me dinjitet të kenë një karrierë politike?

05/03/2012 00:00

Mustafa Nano – Karriera e çdo politikani të botës shënjohet nga kombinimi i nevojës për
të mbajtur e mbrojtur një nivel të caktuar të dinjitetit personal me
ambicien për të qenë dikushi në jetën publike (thënë ndryshe, me
ambicien për të luajtur një rol atje ku merren vendime që kanë të bëjnë
me fatin e komunitetit, kolektivit, kombit, etj.).

Duhet të merret me mend lehtë se është dhe shoqëria, së cilës i përkasim, që ndikon në këtë zgjedhje, e në këtë kuptim çdo kombinim individual dinjitet-ambicie nuk është dhe aq individual.

Ambicia politike është normale, legjitime, madje dhe e lavdërueshme, në shumë shoqëri të sofistikuara kulturalisht e të emancipuara politikisht (nuk është kudo si këtej nga anët tona, ku na është bërë zakon të themi në mënyrë të vrazhdë e jo fort të përpunuar, se “politika është kurvë”), por gjetkë janë më pak të gatshëm të pranojnë që këtë ambicie ta materializojnë mbi kurriz të dinjitetit personal; dhe rëndom as që ka rrethana, në të cilat u duhet ta bëjnë këtë.

Nuk jam në gjendje të them nëse gjetkë, fjala vjen në vendet e Europës Veriore, karrierat ngrihen ekskluzivisht e gjithnjë mbi kushtin e dinjitetit personal të paprekur, por besoj gjithë ditën e ditës se në kombinimin dinjitet personal-ambicie për karrierë, privilegjohet dinjiteti (edhe kur ambicia është e fortë; edhe kur ajo që rrezikohet në planin e karrierës është e madhe). Jo më kot dëgjojmë shpesh mbi dorëheqje të forta për motive që neve na ngjajnë me çikërrima. Kjo do të thotë se shumica e njerëzve që bëjnë karrierë në politikë, e bëjnë këtë në respekt të asaj që janë e të asaj që mendojnë e besojnë. Dhe kur iu duhet të braktisin diçka prej vetes (në emër të ambicies që kanë), këtë e bëjnë mes skrupujsh, ndërdyshjesh e brerje ndërgjegjeje; dhe kjo “diçka” që lëshojnë është e tillë që nuk prek thelbin e qenies së tyre, që nuk i shfytyron përballë të tjerëve; e përballë vetes, mbi të gjitha.

Në Shqipëri thyesa dinjitet/ambicie është me kokëposhtë. Gjen kudo njerëz që kanë ambicien më të rëndësishme se sa dinjitetin; madje, është më e saktë të thuhet që gjen kudo njerëz që kanë ambicie e s’kanë dinjitet; e ndonjëherë mendoj se pak përjashtime, fare pak përjashtime, nuk bëjnë gjë tjetër veçse përforcojnë rregullin që thotë se “shqiptarët s’e kanë për gjë ta shesin veten për të qenë afër pushtetit”. Këtë gjë e kam menduar në mënyrë këmbëngulëse në momente dramatike për vendin, në ato momente pra kur gjërat janë aq të qarta e rreshtimet aq të kollajta, sa veç një gatishmëri për ta shitur veten për hiçgjë krijon mbështetje në favor të të ligut apo të të ligjve. 21 janari i vitit 2011 ishte një nga këto momente, kur në mënyrën më të pabesueshme nuk u vu re asnjë rrjedhje prej “depozitës” së pushtetit. Ndonëse kryeministri, e shpura e tij, vranë katër veta të pafajshëm faqe botës dhe i justifikuan këto vrasje në mënyrën më surreale të mundshme (në njëfarë kuptimi ishin më të turpshme këto justifikime se sa vetë vrasjet e kryera), kronika politike nuk regjistroi asnjë dezertim nga kampi. Nuk pati asnjë zë kritik; asnjë zë kundër, asnjë zë që të thosh gjënë më të natyrshme në atë moment: ‘Prit, se u vranë njerëz; vaftë në djall karriera ime! Në mënyrën më të çuditshme, ndodhi e kundërta. Radhët u ngjeshën e të gjithë u bënë një.

Ka pasur e ka edhe ngjarje që janë thjesht të natyrës politike, të cilat ta bëjnë qëndrimin e rreshtimin shumë të kollajtë. Dështimi i kësaj qeverie për të marrë statusin e vendit kandidat është spektakolar dhe prapë se prapë pothuaj të gjithë njerëzit e mazhorancës janë duke kënduar avazin, se “fajtore është opozita”, aq sa të vjen të pyesësh: si është e mundur që katandisen deri në këtë farë feje? Ç’janë këto interesa kaq të mëdha që i bëjnë këta njerëz të çaprashitin gjepura që nuk i mendojnë kurrë? Si ka mundësi që nuk rebelohen sadopak në emër të së vërtetës?

Në fakt, javët e fundit janë vënë re disa kuturisje “dinjitoze” brenda kampit të mazhorancës. Janë zëra të ndrojtur dhe kritika të kalibruara me shumë kujdes, por në fund të fundit janë përpjekje për të bërë në rrethana shqiptare atë kombinimin e duhur mes dinjitetit human e ambicies politike, mes respektit për veten e ledhatimit të ambicies, që në fakt maskohet si luajalitet ndaj kauzës. Sigurisht, dinjiteti i demonstruar në këtë mes është pak gjë, është fare pak gjë, pasi këto kritika janë, jo vetëm të ndrojtura, por edhe shumë të vonuara e për çështje me rëndësi periferike, e në këtë kuptim duket se nuk meritojnë vëmendje; por ne të shtypit, të etur e të përgjëruar për dinjitet human në politikë nuk kemi nguruar t’i shesim si gjeste të guximshme e të fisme. Jemi në Shqipëri, nuk jemi në Danimarkë, ku kaq pak dinjitet nuk bie në sy; madje përbuzet. Jo, në Shqipëri kaq pak dinjitet duhet për të krijuar, apo shpikur, modele.

P.S. Më nxiti për të shkruar përsiatjen e mësipërme intervista e bujshme e Gazmend Oketës në “Tonight Ilva Tare”, dhe një intervistë jo aq e bujshme e Gjergj Bojaxhiut, që në fakt ish më e fortë se sa ajo e Oketës, dhënë së përjavshmes “Java”, në të cilën i intervistuari duket sikur ka bërë një akt shëlbimi, duket sikur ka shpëtuar veten. Vihet re në atë intervistë, mes rreshtave, një lloj gëzimi a krenarie që më në fund ai ka gjetur forcat e motivet – dhe DINJITETIN – për të arritur t’i thotë vetvetes e të tjerëve: unë i thashë ato që po i mbaja të fshehura brenda vetes në emër të një karriere, që kurrë mos ardhtë; unë rigjeta dinjitetin.

Gazeta “Shqip”

Top Channel