“Presidentin nuk e donin atje”

03/03/2012 00:00

Roland Bimo, diplomat dhe ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së
Punëve të Jashtme dhe Bashkim Zeneli, ish-ambasador dhe politikan,
mendojnë se incidenti me Presidentin e Republikës në Lezhë nuk është faj
i protokollit të shtetit.

Sipas tyre, incidenti është politik dhe tregon se Presidentin, thjesht nuk e kanë dashur atje.

“Përplasjet protokallare në Shqipëri janë bërë gjëja më normale, që nuk tërheq vëmendjen e askujt, por kjo nuk do të thotë se janë normale dhe nuk duhet të korrigjohen, sepse është figura, prezenca e shtetit që ndikohet nga këto. E vetmja gjë që kisha si me dyshim, në atë njoftimin e lajmeve të Top Channel një ditë më parë ishte pikërisht roli i Protokollit. Unë kam punuar 30 vjet në Ministrinë e Jashtme, e di fare mirë se kush janë ata që punojnë në Protokoll dhe janë njerëzit më të mirë, më profesionalë që ne kemi. Në asnjë rast përgjegjësia nuk bie mbi ta. Eshtë tjetër gjë që në kontekstin shqiptar, shpeshherë nëpunësit civilë përballen me presione të një natyre të atillë që nuk i mbajnë dot, ndaj ndodhin edhe të tilla gjëra. Nuk ka asnjë arsye që katër-pesë institucione që ishin përfshirë në këtë ngjarje jashtëzakonisht domethënëse për historinë e Shqipërisë, Besëlidhja e Lezhës dhe kemi Bashkinë e Lezhës, Protokollin e Shtetit, zyrën e Kuvendit, zyrën e kryeministrit,zyren e Presidentit, çfarë vështirësie ka që të gjithë këta përfaqësues të këtyre institucioneve të mund të prodhojnë një kompromis që të ishte i pëlqyeshëm për të gjithë? Do të mbetet gjatë në historinë e këtij vendi që në përkujtimin e Besëlidhjes së Lezhës, Presidenti i vendit nuk ka qenë prezent, natyrisht jo për fajin e tij, nuk mund të bësh me faj Presidentin”, tha Bimo.

I të njëjtit mendim është edhe Bashkim Zeneli, i cili shton se marrëdhëniet ndërinstitucionale shihen me lupë nga Bashkimi Europian.

“Unë nuk mendoj se këtu ka ndonjë gjë që duhet të shfletuar Protokolli i Shtetit, për të parë pikat, nenet. Mua më duket se ky është një qëndrim i pastër politik. Natyrisht këto gjëra nuk kanë ndodhur vetëm sot, në raportet të papëlqyeshme mes Presidentit dhe ekzekutivit jo në këtë përmasë, ka patur edhe më parë edhe kudo ulet Presidenti dhe kush do të ulet më përpara, kush do të shkojë në OKB, kush do të flasë në atë samit…etj. Marrëdhëniet mes maxhorancës dhe opozitës gjithnjë janë marrëdhënie të një lufte të ndershme, por marrëdhëniet institucionale janë marrëdhënie, që janë të shkruara njëherë e përgjithmonë, janë raporte që nuk duhet të cënohen dhe mua më duket se nga Bashkimi Europian, nga Brukseli atje ku ne duam dhe pretendojmë të bëhemi pjesë e asaj familjeje të madhe europiane dhe të civilizuar, mua më duket se mbahen shënime”, tha Zeneli.

Top Channel