Pengu i pavarësisë së Kosovës

28/02/2012 00:00

Behar Gjoka – Bisedimet e ditëve të fundit Prishtinë-Beograd rinxorën në skenë edhe njëherë tjetër pavarësinë e Kosovës, madje formalisht edhe duke e vënë në diskutim ekzistencën e saj.

Fakti që në bisedimet rajonale, tani e tutje do të thuhet vetëm Kosova, pra as shtet e as krahinë, ndërkaq e shoqëruar edhe me vendimin e marrëveshjes me numër 1244, tregon qartësisht se kemi një tërheqje jo të vogël nga pozicioni i pavarësisë dhe i vetë shtetit të saj. Vënia në dyshim e pavarësisë, pra e Republikës së Kosovës, në skenën shqiptare dhe më gjerë, është përjetuar në tre forma thelbësore:

– Me emocione krejt negative, sikur është bërë një tradhti e madhe, sikur është shuar pavarësia e Kosovës, sikur gjithçka tashmë do të duhet nisur nga e para, kryesisht nga faktori politik brenda Kosovës, madje me të drejtë e jo vetëm në optikën e tyre kundërshtuese ndaj bisedimeve qeveritare, por diçka më tepër nga heqja dorë kaq lehtësisht, nga përfaqësuesit e atyre që e shpallën me të madhe pavarësinë, vetëm katër vite më parë, e që e festuam me fanfara vetëm pak ditë më parë, në Tiranë e Prishtinë.

– Me emocione pozitive, nga faktori ndërkombëtar, afër dhe larg, madje edhe nga përfaqësues të lartë të politikës së madhe të Euroatlantikut, sikur me përfundimin e këtyre bisedimeve, jemi në rrugën e duhur, dhe se më në fund Serbia është dorëzuar plotësisht, dhe me dashje apo pa dashje, po e pranon realitetin e ri të krijuar tashmë atje.

– Me heshtjen e çuditshme emocionale, as pozitive e as negative, madje edhe duke u fshehur si struci, me kokën në rërë, sikur ajo që po ngjet me Kosovën, është e ngjashme me atë që ngjet diku në Honolulu, të diplomacisë dhe të politikës zyrtare shqiptare.

Më përtej emocioneve, të palëve të përfshira në debat, po ashtu edhe të etheve të pushtetit në Prishtinë, të faktorëve ndërkombëtarë, që me këtë rast duket sikur e nxisin zhvillimin e dialogut dypalësh, pra Prishtinë-Beograd, duhen parë dhe shqyrtuar fitoret dhe humbjet, në rrafsh politik dhe diplomatik të palëve. Heqja dorë nga emërtimi Republika e Kosovës, pra në fakt nga pavarësia, është një humbje politike e qeverisë Thaçi, dhe e politikës shqiptare në përgjithësi, pra duam apo nuk duam kjo është një fitore e serbëve. Në pikëpamje diplomatike, moshumbja e mbështetjes së faktorit ndërkombëtar, pra e SHBA dhe Brukselit, tregon se shqiptarët e Kosovës dhe të rajonit do ta kenë mbështetjen politike dhe më gjerë, por interesat serbe, edhe në pikëpamje diplomatike, kanë thelluar përparësitë, në krahasim me shansin që e ka për këtë shekull çështja shqiptare, e cila me Kosovën ka pësuar një kthesë të madhe në zgjidhjen e saj. Nga ana tjetër, fiksimi i sovranitetit tokësor të Kosovës, bazuar në marrëveshjen 1244, e garanton mosndarjen e territorit, pra as të Mitrovicës, duke shënuar kështu një fitore të pashpallur të Kosovës dhe të sovranitetit dhe integritetit territorial të saj. Po ashtu, fakti që Kosova, vërtet jo ashtu siç e kanë njohur rreth 87, në bisedimet rajonale do të jetë e pranishme në tryezat e bisedimeve, por vetëm me emrin Kosovë, shumëkush po e paraqet si një fitore tjetër. Megjithatë krahasimi i humbjeve dhe fitoreve, pra i arritjeve të palëve në bisedime, përpos se i pamundur që të zbërthehet, paraqitet edhe si i panevojshëm. Mbi të gjitha, për faktin se fitoret e Kosovës, nëse munden të quhen si të tilla, në krahasim me hapin prapa, që bie ndesh me shpalljen e pavarësisë, me ligjshmërinë e kushtetutës së saj, janë më tepër si fitorja e Pirros së Epirit në Antikitet. Pavarësia e Kosovës, qysh në shpalljen e saj, e shoqëruar me heqjen dorë nga simbolet e kombit, si flamuri dhe himni, dhe zëvendësimi i tyre, po ashtu edhe heqja dorë nga aspirata e shqiptarëve për bashkim të trojeve shqiptare, nga shqiptarët e të gjitha anëve, është parë dhe përjetuar si kompromisi i madh i shqiptarëve, si lëshimi i fundit që u bëhet interesave shqiptare në gadishullin tonë. Me sa duket, pavarësia e kushtëzuar, e pranishme së paku me fusnota, tani e tutje, ka ende rrugë për të bërë, por lëshimi i radhës e vë shtetin e Kosovës, pavarësinë e saj në një zgrip të pazakontë, po ashtu ka nxjerrë zbuluar politikën shqiptare, diplomacinë parlamentare, qeveritare apo opozitare, dhe duket se thirrja e mëhershme, një komb një qëndrim, tashmë ka përfunduar në analet e parullave propagandistike.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel