Të persekutuarat e komunizmit

23/02/2012 19:20

Në muzeun kombëtar këto ditë është çelur pavioni i krimeve të diktaturës. Ndër të tjera aty ka shumë materiale, dëshmi të torturave, dënimeve, burgosjeve vrasjeve që janë bërë gjatë viteve të komunizmit..Ndërsa tre ditë më parë kujtuam 21 vjetorin e rënies së bustit të Enver Hoxhës…

Historise se dhimbshme 45-vjeçare nën diktature i rikthehemi shpesh, ndoshta edhe si nje lloj terapie për të ecur përpara, duke ditur se çfare nuk duhet të bëjmë më kurrë.

Për të gjithë ata që kanë qenë publik i këtyre krimeve, mund të jete më e lehtë për t’i harruar, por krejt ndryshe ishte për ata që u përballën me burgime të gjata të familjarëve dhe internime mes fshatrave “të humbura”.

“Pasdite” në “Top-Channel” solli ditën e enjte rrëfimin e dy grave, Shpresa Ngjelës dhe Vera Bekteshit, të cilët u përballën me të gjithë forcën brutale të regjimit, pasi baballarët e tyre ishin “armiq” të komunizmit.

Shpresa Ngjela: Si mbijetuam me babain dhe dy vëllezërit në burg

Asnjë nuk e dinte, kur i vendosen emrin Shpresa, se ajo do ishte vërtete shpresa e familjes Ngjela. E rritur në një shtëpi funksionarësh të lartë, e bija e Ministrit të asaj kohe, Kiço Ngjela dallohej nga vajzat e tjera të Bllokut veçanërisht nga bukuria.

Një vajzë e hareshme, plot me ëndrra që përfundoi shkëlqyeshëm universitetin për inxhinieri kimike, nuk e mendonte kurrë që pikërisht ditën e përvjetorit të parë të martesës, pranë do kishte një polic që do e shoqëronte drejt fushave ku do punonte si kositëse bari. Atëherë, e motra e “Avokatit”, ishte shtatë muajshe shtatzanë.

TCH – Si e kujtoni momentin kur ju komunikuat lajmin e internimit? Çfarë ishit duke bërë? Çfarë menduat se do te ndodhte me ju në atë moment?
Shpresa Ngjela – Unë kam qenë në shtëpi, sepse ishte darkë kur mësova internimin. Përpara kisha disa ditë që kisha marrë vesh arrestimin e dytë të familjes, vëllait të madh. Dy arrestime brenda dy muajsh, kështu që internimi ishte i pritshëm. Bëra dorëzimet në punë dhe në mëngjes u shoqërova nga një polic gjatë të gjithë kohës. Ishte shumë e rëndë për një 24-vjeçare që të ecte në rrugë e shoqëruar ashtu, nën sytë e të gjithë kalimtarëve. Pastaj erdhi kamioni me një tufë policësh dhe nuk e dija se ku do të më internonin. Më bënë si lehtësi hipjen para, meqë isha shtatzanë, deri në Vlorë. Kur më thanë vendin e internimit, në Selenicë, vetëm atëherë u qetësova pasi isha me nënën dhe vëllain e vogël, nuk do të isha vetëm.

TCH – Ju derguan në Selenicë në një punë tjetër, si kositëse. Sa e vështirë ishte për ju të bënit këtë lloj pune?
Shpresa Ngjela – Fillimisht, më e vështira ishin ambientet ku jetonim. Ishim shumë ngushtë, dy familje në një dhomë. Isha shtatzanë dhe nuk punoja dot, por nuk ma dhanë lejen e lindjes për çështje burokracie dhe deri sa shkoi djali nëntë muajsh, nuk më dhanë pagë. Pastaj nisa një punë të vështirë fizike. Përjetimi i momentit nuk ishte edhe aq i vështirë, pasi kishin kaluar shumë gjëra të tjera. Qëllimi i sistemit ishte të të depersonalizonte.  Vetë banorët të shihnin si të internuar, të shihnin si të  pamoralshëm pasi nuk e dinin se çfarë ndodhte në kryeqytet dhe ishin besnikë ndaj regjimit.

TCH – Si reagonin njerëzit që ndeshnit gjatë internimit kundrejt jush?
Shpresa Ngjela – Fillimisht të largoheshin dhe ishte e vështirë të flisnin me ta, por duhet të punoje me ta. Megjithatë, kur shihnin si silleshe, kaloje në pjesën që të respektonte, por kur ngjiteshe për të shkuar në fshat ose qytet, thërrisnin punonjësin në degë dhe i thonin që të mos të shoqëronte më. Megjithatë, pas disa kohësh nisën të na njihnin dhe arritën të na respektnin, pavarësisht se i detyronin të mos na flisnin.

TCH – Në Selenicë ju erdhi edhe akti i ndarjes nga bashkëshorti. Si e përjetuat?
Shpresa Ngjela – Letra e divorcit erdhi pas gjashtë muaj pasi ai doli nga burgu, pasi edhe atij i gjetën një revistë të ndaluar. Meqë isha me fëmijë në gji, gjyqin e bëra në Selenicë. Ai erdhi për të zhvilluar gjyqin, por vështirësia më e madhe ishte kur ai më kërkoi djalin, moment më i vështirë që mbaj mend ndonjëherë. Fati im që ishte në gji, sepse ndryshe do ta merrte i ati sepse “drejtësinë” e bënin ata, prokurorët e hetuesit e jo ligji…. Më bënë të qartë që nuk kisha kushtet politike për të mbajtur djalin, por e vetmja gjë që më bëri ta mbaja ishte fakti që ishte në gji. Në maternitet nuk më jepnin vërtetim që ishte në gji, deri sa erdhi prokurorja, një antare partiake, po njeri i mirë, që e urdhëroi. Ajo më ndihmoi, por më tha se ta mendoja një herë, pasi e ardhmja e fëmijës do të ishte më e sigurt dhe më e mirë me babain. Sidoqoftë, i thashë se kush do të ishte ajo nënë që do të linte djalin e saj tre muaj pas lindjes dhe ajo mbylli derën e iku në heshtje. Më kuptoi.

TCH – Djali juaj lindi në internim. Si ishin të gjithë ato vite të gjata në ato kushte?
Shpresa Ngjela – Pas tre vitesh ndodhi që u arrestua edhe vëllai i vogël, edhe ai në burg. Babain se kishim, dy vëllezërit në burg dhe mendonim për ta se si jetonin. Të ngelte buka në fyt kur mendonim se s’kishin ushqim. Njeriu me ushqimin e burgut vdiste. Sado, ne kishim një zjarr në shpi, ata se kishin. Kushtet ekonomike? Na bënin të vuanim, por i përballova me fuqinë fizike.

TCH – A e ruajtët shpresën apo ajo që jetonit ju dukej një ferr pa fund?
Shpresa Ngjela – Shkova në internim në moshën 24-vjeçare dhe u riktheva në Tiranë 40 vjeç. Kur vija në Tiranën me djalin e vogël, e vetmja gjë që bënim ishte të shpërnaheshim burgjeve. Vëllai i madh, Spartaku, ishte në Spaç, i vogli në Ballsh dhe babai në Burrel. Nuk dilja dot në atë kohë vetëm femër e pashoqëruar dhe merrja djalin, që deri sa u bë 15 vjec, i pa të gjitha burgjet e Shqipërisë. Atje u formua edhe një urrejtje e madhe ndaj policëve, që ka një histori të bukur pas.

TCH – Cilën histori?
Shpresa Ngjela – Në vitin 1982, djali ishte nëntë vjeç, por në Selenicë arrinim të shihnim qartë kanalet italiane dhe atëherë jepej “Oktapodhi”, me Katanin. Ai gëzohej shumë kur vritej ndonjë polic dhe ishte me Tano Karidin. Nuk dinim si t’ia shpjegonim që ata nuk ishin policë të këqinj.

Vera Bekteshi: Na morën ëndrrat, por jo dinjitetin

Po të mos e njihje bjondjen sygjelber plot sharm, e sigurt që do pyesje veten se ç’do një vajzë nordike në Tiranë në vitet 1970. E kujdesur për pamjen deri në detaj, vajza e gjeneralit Sadik Bekteshi, në dhjetor të 74-ës, ishte pedagogia gjithë stil e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, nëna e re me djalin një vjeç, bashkëshortja e një diplomati, me pak fjalë realizimi i ëndrrës së çdo gruaje që do donte të ishte në vend të saj.

Vetëm një ditë më pas, Pranvera Bekteshi ishte një e papunë e divorcuar, me një fëmijë që qante papushim duke udhetuar në një kamion Skoda drejt arave të mbjella me duhan të Beratit, në të cilat do të punonte pa pushim deri në 20 orë në ditë.

TCH – Jetonit në kryeqytet ne nje familje me kushtet më të mira që mund të kishte një familje në atë sistem, kur e patë veten të zhvendosur në një fshat ku mungonin dhe kushtet bazike. Sa e vështirë ishte për ju?
Vera Bekteshi – Në atë kohë, nuk kishte një moment. Në çastin kur niste linja e dënimit të prindërit, mendoheshin pasojat  që do të kishte familja. Internimi u përceptua që në qershor 1974, kur u dënua Beqir Balluku dhe të gjithë gjeneralët e lartë pritej të dënoheshin, sepse në vitin 1973, grupi i parë që u dënua ishte ai i Todi Lubonjës dhe Paçramit, grupi i kulturës, pas një viti i ushtrisë, ekonomia, nafta, bujqësia dhe të gjithë sektorët jetikë.

TCH – Cila ishte per ju pjesa me e padurueshme e kohes se internimit?
Vera Bekteshi – Gjërat duhet të jetohen që të kuptohen. Moment më i vështirë është i pari, kur të dënohet prindi. Ajo është goditja më e madhe. Ajo që kemi mësuar është që nëse t’i përballon goditjen e parë, i përballon të gjitha. Gjatë rrugës kalitesh dhe kështu ndodh me çdo fenomen goditje. Rasti i Shpresës është unikal, tre meshkujt e familjes u arrestuan. Ne nuk patëm një fatkeqësi të tillë. Dy vëllezërit e mi mbanin familjen, por ajo që ka qenë e vështirë ka qenë fakti që fizikisht s’kam qenë e fortë dhe edhe pse kisha punë të lehtë prej dy veshkave të operuara, nuk ka punë të lehtë në bujqësi. Megjithatë, në internim, puna ishte diçka e mirë pasi na bënte të harronim dhimbjen. Vështirësia ishte depersonalizimi, por na motivonte qëndresa. Në fillim në Kutalli, në janar 1975, ditën që mbërritëm, të nesërmen babai na mblodhi, s’ishte arrestuar akoma dhe na tha kemi rrugë të gjatë dhe të ëvështirë për të bërë. Ajo që duhet të bëjmë është të qëndrojmë, mos thyemi, mos bëhemi lakenj.

TCH – Ju keni një domethënie të veçantë për këtë fjalë apo jo?
Vera Bekteshi – Kur isha 12-13 vjeç shihnim filmat rus. “Zonja me Korne” ishte një novelë e Çehovit, e bërë film, që fliste për një personazh shumë të trishtuar. Dikush e pyet atë zonjë se përse ishte kaq e trishtuar dhe përgjigja ishte se ishte lake. Pyeta babain se çfarë ishte nëj lake dhe ai më tha një shërbëtor i lartë, një vegël. Aty e kuptova. Ne, të paktën rininë e kaluam gëzuar, jetë të privilegjuar me të tjerët, por sikurse Shpresa, edhe familja ime është shembull qëndrese. Qëndresa nuk vlen për kohën e diktaturës, por është një kolonë e moralit që vlen për çdo epokë dhe që sot është edhe më e vlefshme.

TCH – Çfare do të thotë të tradhetohesh vazhdimisht dhe nga njerez të afert? Ju shkruani për këtë në një libër. Kush të tradhëtoi?
Vera Bekteshi – Të gjithë tradhëtohen. “Vila me dy Porta”, libër që e kam shkruar vetë dhe që është kënaqësia më e madhe që kam marrë në jetë. Por, edhe atëherë isha e lumtur kur e shkruaja, sepse e kam larë me lot librin. M’u rikujtuan emocionet e asaj periudhe të vështirë, më ka çliruar shumë dhe ajo që më tha një zonjë, botuese: “Vera është fat që shitet libri sepse shumë vetave nuk u janë shitur edhe pse kanë qenë libra të mira”. Ky ka qenë një nga gëzimet më të mëdha të kësaj kohe. Atje kam shpjeguar, besoj mirë dhe i kam thënë të tëra pa i stërholluar, si me sopatë, pasi si fizikante ashtu e kam stilin.

TCH – Por, çfarë ju bëri që të mos dorëzoheshit?
Vera Bekteshi – U tradhëtova nga një shoqe e ngushtë. Në fotot e vjetra ishte kudo pranë meje. Jemi rritur bashkë, hanim bukë bashkë, babai i saj u dënua para meje, por ajo ishte një prej atyre që u thyen. Kemi provuar gjëra të dhimbshme që kanë zgjatur 15-16 vjet, por s’kemi provuar thyerjen brenda vetes. Dhe njeriu reziston kur nuk thyhet.

TCH – Megjithatë, në libër ju shkruani që keni menduar të vetvriteni. Nuk do të ishte kjo një lloj thyerje?
Vera Bekteshi – Ska patur momente që të kem menduar të dorëzohesha. Vetëvrasja nuk ka të bëjë me thyerjen. Unë flas për thyerjen, atë që e di që i ke nxirrë jetën tjetrit, atë që të bën të të vrasë ndërgjegja tërë jetën. Me denoncimin që na bëri shoqja ime, na çonte drejt burgut dhe më tej, por ajo e ka peshë këtë tërë jetën. Nëse sigurimi të thyen një herë, e bën sa herë i do qejfi.

Top Channel