Besnik Gjongecaj – Në fillim të këtij viti, ministrat shfrytëzuan ekranet për të paraqitur
bilancin e rezultateve të arritura në sektorët që mbulojnë.

Dy elementë i karakterizuan këto paraqitje: e para, stili uniform i paraqitjes, aq sa pothuajse e kishin të shkruar në ballë faktin që këtë raportim televiziv po e bëjnë me urdhër, dhe e dyta, distanca e largët midis asaj që raportonin dhe realitetit shqiptar. Pa asnjë përjashtim, secili prej tyre fliste për gjëra që nuk i takojnë nahijes ku jetojnë shqiptarët. Ministri i Shëndetësisë tha që çdo gjë është në rregull në sistemin shëndetësor dhe i karakterizoi sharlatanë ata që thonë të kundërtën. Ministri i Drejtësisë tha që janë vetëm nja shtatë a tetë gjyqtarë të korruptuar, ndërsa krejt sistemi i drejtësisë është absolutisht i pastër. Ministri i Arsimit, ekzaktësisht në kohën më të zezë që përjeton arsimi në përgjithësi dhe arsimi i lartë në veçanti, tha se Shqipëria ka burime njerëzore të mjaftueshme dhe me kualifikim të lartë, që brenda 10–15 viteve të formojë profesoratin e ri krejtësisht të krahasueshëm, për nga niveli, me atë të vendeve të zhvilluara!? Kanë folur pothuajse të gjithë ministrat, por ajo që tha Kryeministri e bëri distancën e largët të raportimeve me realitetin shqiptar edhe më astronomike, edhe më absurde, gati jonjerëzore. Duke dashur të tregojë natyrën “e vrullshme” të zhvillimit të ekonomisë shqiptare, Kryeministri i vendit tha, në një intervistë televizive, se Shqipëria nuk zhvillohet në mënyrë lineare, por kuantike. Kuanti është një term që përdoret në kiminë fizike dhe jo në zhvillimin ekonomik. Gjithsesi, Kryeministri i vendit, me sa duket, donte të thoshte që ekonomia shqiptare zhvillohet në një formë kuadratike, fuqi eksponenciale, pra në formën e një kurbe me pjerrësi të madhe, që rritet menjëherë në kohë, pra që është përfshirë nga një zhvillim “prej orteku”, gjë që është absolutisht në konflikt me “detin” e thellë të varfërisë në të cilin është zhytur vendi. Të gjitha raportimet e qeveritarëve, pa asnjë përjashtim, në thelbin e tyre ishin raportime mbi një realitet virtual, që nuk është, dhe si i tillë, prandaj, ndodhet në një distancë jashtëzakonisht të madhe me realitetin shqiptar. Thjesht, e gjitha kjo tregon që qeveritarët tanë raportojnë një realitet virtual, për të mbetur edhe këtë vit qeveritarë të realitetit të hidhur shqiptar. Kjo sjellje politike nuk bëhet për herë të parë. Edhe të tjerë e kanë bërë para qeveritarëve të sotëm. Ajo që është e re dhe veçanërisht impresionuese, është mënyra se si e prezantojnë para shqiptarëve realitetin që nuk është. Një mënyrë mospërfillëse, me një siguri të pacenueshme, madje duke qeshur, pa u lëvizur qerpiku. Tamam si profesionistë. Dhe për këtë më ka befasuar një dalje publike e ministrit të Financave, i cili, duke folur në një program televiziv të jo shumë kohëve më parë mbi krizën në botën e euros, e karakterizoi rëndësinë e monedhës në zonë me rëndësinë e një planeti që ndodhet në mes të Galaktikës (Galaxy), dhe që sipas tij, emeton ngrohësi për të tjerët, për krejt Galaktikën. Ajo që më skandalizoi nuk është se sa e njeh krizën e eurozonës ky qeveritar, por fakti që ai nuk kujdeset të jetë sadopak i saktë me publikun përballë tij, të respektojë sadopak inteligjencën e tij. Qartësisht ai nuk e ka idenë se ç’është planeti, ç’është Galaktika, a rrezaton ngrohtësi një planet, a mund të konceptohet qendra e një Galaktike me një planet në të etj. Metafora e tij, sepse del nga terri i mosnjohjes, rrëzohet shkallëve jo vetëm të një formimi, por veçanërisht të një psikike të dyshimtë, duke thyer kokë e këmbë, rrokulliset dhe lë pas, në vend të pluhurit, një dyshim të thellë për inteligjencën e këtij njeriu që drejton financat e vendit. Kjo është më e pakta. Ajo që del jashtë “të befasuarit” është mospërfillja, shumëzimi me zero i atyre që e dëgjojnë, injorimi i shqiptarëve si dëgjues dhe jo vetëm si të tillë. Në thelb, kjo është edhe drama. Kemi përballë qeveritarë që jo vetëm nuk thonë të vërtetën, por as nuk kujdesen që ta fshehin atë në mënyrë sadopak të besueshme. Kemi një klasë qeveritarësh, që nga kjo pikëpamje nuk i kemi pasur kurrë. Qeveritarë që nuk pyesin se si qeverisin, që nën peshën e delirit të madhështisë, akoma më shumë madje, nën peshën e zotëruesit të së vërtetës, edhe kur ajo nuk është aspak e tillë, janë bërë të paprekshëm, të paarritshëm, përbuzës. Qeveritarë që u bënë pashallarë, në fakt. Jo të kuq, ashtu si Kadare i përshkruan në një poemth të tij, por blu. Gjithsesi, pashallarë, dhe aspak të trishtuar si ngjyra që kanë. Përkundrazi.

* * *

Erdhi bora dhe qeveritarët raportuan përsëri para publikut, në një mbledhje të stisur qeverie, shumë pak kohë pasi kishin raportuar për sukseset e vitit që shkoi. Gjithçka u zhvillua sipas stilit të fshehjes të së vërtetës dhe moskujdesjes për mënyrën se si e bën atë. Shqiptarët u ndodhën në një gjendje midis. Nga njëra anë raportimet e qeveritarëve dhe nga ana tjetër raportimet e asaj pjese të shtypit që mbijeton akoma duke thënë të vërtetën, dhe akoma më shumë, të informacioneve direkte që vijnë nga terreni. Një i njohuri im në Tropojë më thotë se, kurrë nuk kemi qenë kështu dhe njerëzve iu duket sikur janë kthyer 70-80 vjet prapa në kohë. Jo në kuptimin e probabilitetit të ndodhjes së ngjarjes meteorologjike, por në kuptimin e pamundësisë për ta përballuar atë, në kuptimin e mbijetesës. Qeveritarët raportojnë një realitet rozë: të sëmurët evakuohen, ushqimi është te njerëzit, ilaçet gjithashtu. Raportojnë ekzaktësisht atë që nuk e bëjnë dot edhe pa rënë borë. Vetëm borën nga çatitë e shtëpive nuk heqin dot qeveritarët! Ndërkohë që nuk komunikohet fare me gjysmën e Shqipërisë, dhe jo vetëm gjysmën, por edhe më të varfrën. Është si në një film kinez. Realiteti nuk ka të bëjë. I rëndësishëm është realiteti tjetër, ai i fabrikuar. Realiteti virtual.

* * *

Shkrimi nën këtë titull shkruhet në një kohë tjetër, por ka një ngarkesë të ngjashme me poemthin e Kadaresë. Titulli është huazuar, sepse kërkon të japë njësoj mesazhin e tradhtisë së politikanëve. Ndryshe nga poemthi i Kadaresë, qeveritarët e sotëm nën okelion e PD nuk tradhtojnë ideologjitë, sepse nuk kanë të tilla. Madje, nuk kanë pasur asnjëherë. Titulli i këtij shkrimi përmban mesazhin e tradhtisë që qeveritarët e një vendi iu bëjnë qytetarëve të tyre, madje, pa ndryshuar aspak atë sistem për ndërtimin e të cilit qytetarët sakrifikojnë çdo ditë. Si të gjitha tradhtitë, edhe ajo në politikë nis nga një dashuri e madhe, nga një shpërthim i madh popullor te i cili bien të gjithë në dashuri. Fillimi i saj është si fillimi i një feste të madhe, i një feste që s’ka se si të mos ketë ardhur pas një dhimbjeje të gjatë, nga shpërthimi i një plage të mahisur. Tradhtia nuk ekziston në fillim, as tradhtarët, madje, askush nuk e ka idenë se si mund të jetë ajo, pasi të gjitha tradhtitë, megjithëse aq të ndryshme në kohën kur kryhen, në mënyrën se si zgjidhen, në mjetet që përdoren, në madhësinë e tragjedisë që sjellin, kanë një gjë të përbashkët: nuk kanë ngjyrë, janë gati-gati të padukshme për sytë e njerëzve që sakrifikojnë në një ndryshim të madh. Në vitin 1990 nuk kishte tradhtarë, por vetëm heronj, njerëz që marrin përsipër publikisht ndryshimin e vendit, deri në sakrifikimin e jetës së tyre në shërbim të lirisë dhe ndryshimit të jetës së shqiptarëve. Tradhtia erdhi e u formëzua më vonë. Në fillim brenda PD-së, duke e tharë atë gradualisht, duke ia hequr demokratëve prej duarsh, duke e vendosur partinë nën komandën e autoritarizmit. Gjithçka fillon me “kultivimin” e kultit të individit. Vazhdon me ndryshimin e dokumenteve themelore të partisë në favor të autoritarëve të rinj. Disa prej ish-heronjve të përmbysjes së ‘90-s (disa prej heronjve të revolucionit) shndërrohen gradualisht në autoritarë dhe autoritarizmi i tyre merr përmasa të krahasueshme me statusin e pashallarëve të dikurshëm. Pastaj tradhtia derdhet jashtë mureve të ngushtuara të PD-së dhe përmbyt qeverisjen e saj. E para gjë që bëhet është marrja e të gjitha pushteteve dhe vendosja e tyre nën peshën e autoritarizmit të ekzekutivit. Pastaj fillon të personalizohet çdo gjë, aq sa asgjë nuk mund të zgjidhet apo të realizohet brenda kufijve të shtetit pa lejen e autoritarëve. Incentivat zëvendësohen me urdhrat dhe politikat me një sistem komandash të centralizuara. Për shkak të shkarjes së pushtetit nga duart e popullit te duart e pak individëve, demokracia shndërrohet në një mision të pamundur. I gjithë ky proces nuk ndërtohet kurrë pa tradhtarët, të cilët po aq sa janë autorë, po kaq edhe lindin prej tradhtisë. Megjithatë, ata vihen re kur fillojnë e “vrasin” pjesën e mbetur pa pushtet të heronjve të dikurshëm, apo heronjve të tjerë që lindin ndërkohë. I “vrasin”, sepse duan pushtetin që është krijuar nga përmbysja. Të gjithin. Ua fshijnë emrat heronjve pa pushtet. I retushojnë fotografitë, nuk i përmendin më, i lënë të harrohen, i izolojnë, iu krijojnë armiq dhe në fazën e fundit, pra atë të fundit fare, iu ndërsejnë militantët, të cilët i kafshojnë ku të munden, në trup, në kokë, në dinjitet, deri sa më në fund vjen ajo pjesa më e trishtuar, dorëzimi. Heronjtë dorëzohen dhe pas kësaj kanë dy rrugë: ose të fshihen përfundimisht nga skena shoqërore, ose të puthin dorën që i sakatoi. Heronjtë zgjedhin gjithmonë njërën, por në të dyja rastet, pavarësisht se kë zgjedhin, ata nuk janë më heronj. Ndërsa tradhtarët nuk janë më bijtë e revolucionit, por pashallarët e tij.

* * *

Është jashtë çdo dyshimi që pashallarët blu e kanë fituar tashmë këtë status, jo vetëm për shkak se kanë tradhtuar interesat e demokratëve, por sepse kanë tradhtuar veçanërisht interesat e shqiptarëve. Tradhtia e interesave të tyre nuk është asgjë përpara ndryshimit të drejtimit të zhvillimit të vendit. Shqipëria ka hyrë në rrugën e krijimit të një sistemi hibrid, ku pjesa e demokracisë shtypet përditë nga pesha e autokracisë, deformohet prej saj. Futja e vendit në rrugë të gabuar është më e rëndë dhe shumë më tragjike se vetë tradhtia e interesave dhe idealeve të shqiptarëve të viteve ‘90, sepse përmes saj shqiptarët kanë humbur përsëri më të shtrenjtën që kanë, kohën. Në një kuptim relativist ata kanë humbur kohën më cilësore, kohën e nevojshme për shtetformimin demokratik, kohë që nuk e kanë pasur kurrë si të tillë në jetën e tyre. Në vend të saj, koha e këtij tranzicioni i shtohet kohës së diktaturës. Gjithsesi, më pak apo më shumë, të dyja janë kohë të mbledhshme, sepse janë kohë njësoj të humbura. Gjithçka i ngjan një tragjikomedie. Qeveritarët-pashallarë iu treguan shqiptarëve hartën e zhvillimit të Shqipërisë dhe kur shqiptarët hapën sytë pas ëndërrimit, në duar kishin vetëm hartën, ndërsa pashallarët kishin Shqipërinë. Është pak a shumë si në vargjet e Kadaresë: Pashallarë të kuq. Bejlerë me tesera partie/Baron-sekretarë. Bosë të naftës. Varg./Në kortezh të zymtë, nën himne liturgjie/Çojnë tabutin e revolucionit për në varr.

Gazeta “Shqip”

Top Channel