Sean Penn bëhet “argjentinas”

14/02/2012 16:55

Aktori fitues i çmimeve “Oscar”, Sean Penn, përkrahu pretendimin e Argjentinës për ishujt e Falkland, ndërsa akuzoi Britaninë si një vend kolonizator.

Sipas Penn, refuzimi i Londrës për t’i dorëzuar ishujt e njohur në spanjisht si Malvinas, vendit të tyre të origjinës, është thjesht “arrogant dhe i pambështetur”.

Ishujt e ndodhur pranë brigjeve të Amerikës së Jugut, me një popullsi prej rreth 3 mijë banorësh, por me pasuri të sapozbuluara nafte, ishin formalisht pjesë e Argjentinës, kur vendi fitoi pavarësinë nga Spanja në vitin 1810.

Megjithatë, një ekspeditë britanike pushtoi Malvinas dhe i pagëzoi me emrin Falkland në vitin 1833 dhe që prej atëherë ishujt kanë qenë gjithmonë pjesë e territoreve përtej detit të Britanisë së Madhe.

Aktori bëri deklaratat e tij provokuese në një takim me Presidenten e Argjentinës, Cristina Fernandez de Kirchner, në Buenos Aires.

I njohur për qëndrimet e tij antikonformiste, Penn vlerësoi se “çështja e Falkland duhet të rregullohet me diplomaci, në një tryezë ndërkombëtare. Është e qartë që pretendimet e Britanisë janë të paarsyeshme dhe shprehin një mendësi të qartë kolonialiste. Për mua, është e qartë që Malvinas duhet t’i bashkohen Argjentinës”.

Top Channel