“Pasdite”, intervistë me Rina Bilurdagun

13/02/2012 20:10

Rina Bilurdagu është fituese e edicionit të parë të “The Voice of Albania”, i cili mund të konsiderohet që tani si spektakli i vitit në televizionet shqiptare.

Jo vetëm për zërat që nxori, nga vokalet më të mira që kemi dëgjuar ndonjëherë, por sepse rriti standardet e të bërit televizion.

Synimi i “The Voice” nuk ishte vetëm argëtimi, por edhe përcjellja e vlerave nëpërmjet një jurie nga më profesionisalet, perzgjedhjes së larmishme si kurrë më parë të këngëve që nga jazz, blues, e deri tek popi i momentit.

E “mbretëresha” e këtij spektali, është Rina Bilurdagu, vajza nga Prizreni që magjepsi me zërin e saj të gjithë shqiptarët. Në emisionin e “Pasdites”, ajo dha intevistën e parë eksluzive që prej kurorëzimit si fituese e edicionit të parë të “The Voice”.


Pasdite – Rina, je ende në ëndërr apo je zgjuar?

Rina – Kjo mbrëmja e finales do të jetë gjithmonë një ëndërr për mua, por duhet të zgjohem sepse suksesi duhet të vazhdojë dhe duhet shumë punë.

Pasdite – Si u ndjeve pas marrjes së çmimit, cilat ishin emocionet që përjetove?

Rina – Edhe tani ndihem e emocionuar, diçka shumë e veçantë. Është një emocion që s’ka fjalë, moment shumë i lumtur që do të mbetet në kujtesën time përgjithmonë.

Pasdite – Cili është momenti që do të mbash më shumë mend nga ky sukses?

Rina – Finalja, vetë fakti që mbërrita atje më bëri shumë të lumtur dhe nuk e mendoja shumë mundësinë e fitores, pasi e shijoja çdo moment. Megjithatë, puna u kurorëzua me sukses dhe kjo më bëri me të vërtetë shumë të lumtur.

Pasdite – Çfarë ke mësuar nga “The Voice of Albania”? Çfarë të ka dhënë si eksperincë?

Rina – Mbi të gjitha përvojën që më mungonte. Përvoja e të kënduarit live është shumë ndryshe. Kjo pjesëmarrje më formoi shumë si artiste dhe përbën një fillim të mbarë për karrierën time.

Pasdite – Cili ka qenë momenti më i bukur në “The Voice” për ty?

Rina – Shumë e vështirë të përcaktohet se ka patur shumë. Por, normalisht finalja ishte kulmi.

Pasdite – Po momenti më i vështirë?

Rina – E vështirë, pasi shijova me të vërtetë çdo moment. Mbase, përjashtim bën çasti ku u sëmura me grip dhe ishte shumë e sikletshme të këndoja. Ne konkurrentët u sëmurën me radhë, duket se ia transmetuam njëri-tjetrit (qesh). Megjithatë, tani e mbaj mend si një moment të këndshëm.

Pasdite – Por, cila ka qenë kënga që ke shijuar më shumë gjatë interpretimit?

Rina – Çdo këngë e kam shijuar në maksimum, por  ndoshta kur këndova “This is a mens World”, më tha një shtysë, një trampolinë që më dërgoi deri në finale. Atje mora edhe vlerësimet më të mira të mundshme.

Pasdite – Kush ka qenë personi që të ka mbështetur më shumë?

Rina – Shumë më kanë qëndruar pranë. Normalisht, nena ime ka qenë gjithmonë gjatë të gjithë jetës, por në pjesëmarrjen time në “Voice” ishte dyfish më e emocionuar se unë.

Pasdite – Rina, ju ia dedikuat suksesin babait, i cili nuk jeton më. Kur e humbët atë?

Rina – Isha 13 vjeç kur e humba. U sëmur me një sëmundje të keqe dhe….

Pasdite – Ka qenë e vështirë të rritesh pa baba? Të ka bërë më të fortë mungesa e tij?

Rina – Ka qenë shumë e vështirë, edhe pse kam qenë e llastuara e tij. Kisha dy vëllezër më të mëdhenj, ndaj më përkëdhelte gjithmonë e në çdo paraqitje time skenike ishte në rreshtin e pare. Këto kohë më mungonte ta shihja midis publikut, por kujtimi i mirë që më ka lënë më ka dhënë forcën të vazhdoja përpara.

Pasdite – E mendove babain atë ditë kur fitove?

Rina – E kujtoj në çdo hap që marr në jetë. Më ka mësuar të jem ajo që jam dhe shpresoj ta kem bërë shumë krenar atje ku ndodhet.

Pasdite – Cili ka qenë personi i parë që evidentoi talentin tënd?

Rina – Mamaja është profesoreshë e pianos. Unë jam rritur me muzikë dhe normalisht ishte ajo e para që evidentoi talentin tim dhe më orientoi me profesorët në shkollë.

Pasdite – Cila ka qenë përballja juaj e parë me skenën dhe publikun?

Rina – Përballja e parë me piano kur isha 5 vjeç, kurse kam marrë pjesë në festival për fëmijë duke kënduar, edhe atëherë në moshë të vogël. Sidoqoftë, nuk ka asnjë krahasim me këtë skenë të madhe.

Pasdite – A besoni se tashmë do të merrni pjesë në “Top Fest”.

Rina – Besoj se po, por se kam biseduar ende në detaje. Duhet gjetur kënga, kompozitori dhe shumë detaje të tjera që nuk i kam menduar. Sidoqoftë, e kam ndjekur gjithmonë atë festival dhe më duket e pabesueshme që do të jem edhe unë që do të marr pjesë në të.

Rrëfimi i nënës së Rinës: Kjo është vajza ime
“Ka qenë një natë e gjatë, me pritjen që u kurorëzua me një gëzim të madh. Ndonëse e prisja, kur fitoi ishte me të vërtetë një gëzim i jashtëzakonshëm”.

Kështu e përjetoi suksesin e Rinës njeriu që e ka parë atë të rritet dhe që ka kultivuar talentin e saj të pamatë, e ëma. “Përpara disa ditësh mbusha ditëlindjen dhe ajo s’kishte mundësi të më bënte ndonjë dhuratë sepse të tërë ditën ishte e zënë. Më tha, “po fitova, do të jetë dhurata më e bukur për ty” dhe kështu është me të vërtetë”.

Me suksesin e saj në “Voice of Albania”, Rina ka fituar një kontratë të rëndësishme, që do ta lëshojë atë në botën e muzikës shqiptare. “Kontrata e detyron me gjëra të tjera, por unë dua që ajo t’i kthehet edhe përditshmërisë. Tashmë e pret provimi i maturës, në drejtim piano. Nuk dua të ngecë pas. Duhet të përfundojë vitin me sukses dhe krahas t’i kushtohet edhe këngës”.

Duke rrëfyer fëmijërin e Rinës, Zonja Bilurdagu u shpreh: “Rina, kohën e lirë mezi pret që të gjithë dalin prej shpisë, që të mbyllet në dhomë dhe të këndojë për qejf, të lëshojë zërin në maksimum dhe në karrierën e saj e kemi përkrah shumë, si unë e familja ime dhe ashtu ajo e babait”.

Pikërisht, mungesa e tij ishte momenti i përmallimit më të madh edhe të nënës, në suksesin e madh që korri e bija. “Do të doja shumë të ishte gjallë, sepse do të ishte shumë krenar për Rinën. Prandaj u mallëngjeva dhe ky ishte trishtimi i vetëm në këtë gëzim të madh”.

Top Channel