Mortensen: Një rol prishet gjatë montazhit

13/02/2012 13:30

Viggo Mortensen ka shpjeguar në një intervistë për revistën ‘Shortline’ se puna e një aktori mund të ndryshohet (për mirë apo për keq) gjatë montimit të filmit.

Aktori amerikan ka marrë si shembull filmin e tij të fundit me titull ‘A Dangerous Method’.

“Dikush vendosi që frazat e mia gjatë xhirimit nuk ishin të duhurat dhe mori disa fraza të tjera nga skenat e mëparshme dhe i montoi sërish. Kur e pashë filmin u habita shumë”, theksoi aktori 54-vjeçar.

“Kur dëgjoj aktorë që ankohen se roli i tyre është prishur në montazh nuk habitem aspak. Është diçka që ndodh; jo shpesh, por ndodh”, shtoi Mortensen.

Viggo Mortensen luan rolin e Sigmund Freud në filmin ‘A Dangerous Method’, ku interpretojnë gjithashtu Michael Fassbender, Keira Knightley dhe Vincent Cassel.

Top Channel