Kreshnik Spahiu jep dorëheqjen

10/02/2012 00:00

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, lajmëroi për dorëheqjen e tij të parevokueshme nga detyra që mban, në një konferencë për shtyp mëngjesin e së premtes.

Spahiu argumentoi vendimin e tij me pamundësinë e një gjykimi të paanshëm nga Gjykata Kushtetuese për padinë që ai ka ngritur kundër mazhorancës, në lidhje me procedurën e nisur prej tyre për shkarkimin e tij nga detyra për shkelje të supozuara të mandatit të marrë në 2008-n.

Procedura është konsideruar që në fillim si e paligjshme nga ana e Spahiut dhe si një shkelje e qartë e pavarësisë së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, parashikuar në Kushtetutën e Shqipërisë.

“Kam vendosur të largohem nga detyra e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të lënë Gjykatën Kushtetuese që të vendosë në lidhje me akuzat që kërkojnë të njollosin emrin tim. Megjithatë, dua të bëj të qartë që nuk do të rikthehem në këtë rol edhe në rast Gjykata do të vendosë në favorin tim”, u shpreh Spahiu.

Në fjalën e tij të shkurtër, Spahiu evidentoi një “betejë të vazhdueshme”, e nisur tre vjet e gjysmë më parë, e institucionit të KLD-së për ruajtjen e pavarësisë dhe rolit të arbitrit, përballë presioneve të vazhdueshme të politikës dhe Parlamentit.

”Pavarësia e drejtësisë, si një çështje thelbësore për të ardhmen e vendit, është shndërruar në luftën time personale dhe do të vazhdoj të luftoj për të edhe larg detyrës si nënkryetar i KLD-së”, theksoi Spahiu.

Në fund të fjalës së tij, gjithashtu lideri i Aleancës Kuqezi, falenderoi të gjithë bashkëpunëtorët për ndihmën e dhënë në “këtë rrugë të gjatë dhe të vështirë”, në krye të KLD-së.

Alibeaj: Komisioni hetimor vijon punën

Kryetari i Komisionit për shkarkimin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj deklaroi në mbledhjen e së premtes, se dorëheqja e numrit dy të KLD-së bëhet zyrtare kur të mbërrijë në kuvend shkresa.

“Deri në mbërritjen e shkresës për Spahiun, komisioni hetimor do të vijojë punën e tij”, tha Alibeaj. Sipas tij, Komisioni do të përgatisë kallëzim penal për refuzim të kërkesës për informacion.

Topi: Dorëheqja, akt personal

Dalja publike e presidentit mbrëmjen e së premtes pritej me kërshëri, për shkak të dorëheqjes në mëngjes të Kreshnik Spahiut.

Që prej fillimit të procedurave për shkarkimin e zotit Spahiu, kreu i shtetit nuk kishte bërë asnjë koment për këtë nismë të Parlamentit.

Vizita në ekspozitën e Adem Rrelit në Muzeun Historik Kombëtar, e parashikuar prej disa kohësh, kishte për qëllim të nderonte kujtimin e njerëzve që i bëjnë nder Tiranës: 195 protrete të realizuar në studio, bardhezi dhe të ekspozuar sipas rendit alfabetik.

Por, i pyetur për cështjet e aktualitetit politik, presidenti i Republikës e cilësoi dorëheqjen e parevokueshme të Spahiut si nënkryetar dhe anëtar i KLD-së, si një veprim personal.

“Ai ka respektuar të drejtën e tij dhe nuk dëshiroj të bëj asnjë lloj interpretimi. Unë respektoj aktin e tij”, deklaroi Topi.

Pyetjes së TCH, a është i ligjshëm komisioni parlamentar, Topi iu përgjigj: “Më lejoni të mos interferoj në këtë çështje përsa kohë zoti Spahiu e ka dërguar në Kushtetuese. Në rast të kundërt unë do ta kisha dhënë opinionin tim personal. Por përderisa e ka bërë, Kushtetuesja do të shprehet më mirë”.

Më tej kreu i shtetit nënvizoi se do ta zëvendësojë së shpejti nënkryetarin e larguar të KLD-së. “Natyrisht, sepse institucionet nuk mund të qendrojnë me vende vakante”, u shpreh ai.

Më pas, presidenti u largua në këmbë për një kafe në hotelin pranë, në një shoqëri të zgjedhur. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA