Francë, Hollandë thellon avantazhin ndaj Sarkozy

07/02/2012 17:45

Dy muaj përpara zgjedhjeve presidenciale në Francë, kandidati i socialistëve, Francois Hollande, vazhdon të thellojë avantazhin, ndërsa një sondazh i të përditshmes “Le Parisien” e paqaqiti atë 8% përpara presidentit aktual, Nicolas Sarkozy.

Disa reforma jopopullore dhe stanjacioni ekonomik që po kalon superfuqia e dytë financiare në Europë bëjnë që mundësitë për një rizgjedhje të Sarkozy në krye të “Elysee” të duken gjithmonë e më të zbrehta.

Nëse 56-vjeçari nuk arrin të fitojë një mandat të dytë, ai do të shndërrohet në presidentin e parë që nuk rizgjidhet që prej vitit 1981, kur Valery Giscard D’Estaing dorëzoi mandatin e tij 7-vjeçar tek Francois Mitterrand.

Në sondazh, një rritje ka regjistruar edhe kandidati i qëndrës së bashkuar, Francois Beyrou, i cili është rritur me 3%.

Nëse zgjedhjet do të mbaheshin në këtë moment, Hollande do të grumbullonte 31% të votave në raundin e parë, ndjekur nga Sarkozy me 23% dhe Marine le Pen, e ekstremit të djathtë, në të njëjtat kuota.

Dy kandidatët më të votuar në raundin e parë me pjesëmarrje të gjerë shkojnë javën pasardhëse në një garë të re kombëtare, në të cilën votohet vetëm midis dy emrave dhe njeriu që grumbullon më shumë preferenca zgjidhet President i Francës.

Top Channel