Debate NATO-SHBA

02/02/2012 23:50

Në ministerialin e mbrojtjes që po zhvillohet në Bruksel, planet e NATO-s me ato të SHBA-ve nuk përputhen në lidhje me afatet e përfundimit të veprimeve luftarake në Afganistan.

Ndërsa Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Paneta ka premtuar përfundimin të këtyre veprimeve në vitin 2013, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka mbrojtur vendimet e marra në Samitin e Lisbonës, që parashikojnë, sipas zhvillimit të situatës në terren, vijimin e veprimeve luftarake deri në fund të vitit 2014.

“Në Samitin tonë në Lisbonë nënvizuam një udhërrëfyes për një tranzicion gradual të përgjegjësive udhëheqëse drejt forcave afgane të sigurisë. Ai vendim dhe ai udhërrëfyes mbeten në fuqi. Ne jemi të gjithë të angazhuar ndaj parimit. Së bashku në ç‘do veprim. Tranzicioni nisi vitin e kaluar dhe procesi do të vazhdojë deri në fund të vitit 2014, siç vendosëm në Lisbonë”, tha Anders Fogh Rasmussen, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Korrespondentja e CBS: Si mund të përputhen këto që po thoni me deklaratat e Sekretarit Paneta se ai dëshiron të shohë përfundimin e veprimeve luftarake në vitin 2013?

Rasmussen: Po përputhja u dëshmua me çfarë thashë. Ne kemi rënë dakort se procesi i tranzicionit do të bazohet mbi kushte. Ritmi dhe qëllimi i këtij tranzicioni do të varet shumë nga situata e sigurisë në terren.

NATO numëron 130 236 trupa në misionin e saj më të madh ushtarak, në Afganistan. Shqipëria kontribuuon në këtë mision me 286 trupa, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga aleanca për muajin Janar 2012.

Në samitin e Lisbonës, aleatët vendosën për reduktimin, në varësi të rrethanave, të pranisë ushtarake dhe misionit luftarak e kalimin gradual të përgjegjesive tek forcat e armatosura afgane. 

Përgatiti: Arta Tozaj  

Top Channel