Kate Moss: Nuk më pëlqen Twitter-i

26/01/2012 21:05

Supermodelja britanike Kate Moss nuk është pro që detajet e jetës private të tregohen në Twitter. Në një intervistë për ‘The Times’, 38-vjeçarja shprehet se nuk është aspak e tërhequr nga ky rrjet shoqëror.

“Nuk ka gjë më të keqe se sa njerëzit të dinë se çfarë po bëj unë në çdo moment të ditës. Thjesht nuk e kuptoj këtë mani të njerëzve. Unë gjithmonë jam përpjekur që jetën time private ta mbaj sa më të fshehtë dhe kurrë nuk mund ta imagjinoj që të jem unë vetë ajo që t’i shkruaj detajet e jetës private në Twitter”, është shprehur Moss.

Edhe pse e pranon që fama ka shumë aspekte pozitive, modelja thekson se do i pëlqente shumë mos t’i nguleshin sytë sa herë që futet në një supermarket.

“Mundohem të bëj një jetë sa më normale, por është vështirë. Gjithsesi, nuk është ndonjë problem i madh”, deklaron Kate Moss.

Top Channel