Arben Malaj – Shpesh diskutohet për përfitimet që vendet ish-komuniste do të kishin
nga integrimi europian, shumë fokusohen te përfitimet financiare.

Por, pas ngjarjeve me Hungarinë, më shumë duhet të diskutojmë për përfitimet nga plotësimi, respektimi i kritereve të anëtarësimit në BE.

Jo rrallë Europa e Bashkuar është përfshirë nga debatet apo krizat, ajo ka raste dështimi, të cilat kanë penguar thellimin e integrimit ose kanë vonuar zgjerimin e saj. Vitet e fundit, kriza ekonomike dhe sidomos kriza e euros, ka rritur optimizmin e euroskeptikëve. Lidershipi politik, komuniteti i biznesit dhe opinioni publik jo vetëm brenda BE-së, janë të ndarë kur flitet për thellimin e integrimit europian deri në nivelin e integrimit politik, në atë që edhe Çurçilli që në 1946-n do ta mbështeste, krijimin e Shteteve të Bashkuara të Europës.

Në kulmin e krizës europiane ekonomike, ndërsa kalon momentin më të vështirë të arritjes së kompromisit për reformat me synim ruajtjen e euros, duket se projekti i BE-së për promovimin e vlerave më të qenësishme të demokracisë po jep një shembull të qartë të forcës dhe dobishmërisë në konsolidimin e demokracisë në vendet ish-komuniste. Rasti konkret është debati deri në ballafaqimin ligjor në Gjykatën e të Drejtës Europiane midis Hungarisë dhe Bashkimit Europian.

Partia e Kryeministrit Viktor Orban dhe koalicioni i tij fitoi një shumicë të cilësuar votash që i jepnin “legjitimitetin” për të bërë ndryshime deri edhe kushtetuese. Kjo shumicë euforike shumë shpejt u keqpërdor për të përqendruar pushtetin në dorë të Kryeministrit, për të dobësuar dhe kontrolluar pushtetet e tjera duke rikthyer riskun e përsëritur të mendësive dhe modeleve autoritariste në ish-vendet komuniste.

Shqetësimet kryesore të BE-së ndaj qeverisë së Kryeministrit Orban janë: së pari, moscenimi i pavarësisë së Bankës Qendrore, në mënyrë që qeveria të mos keqpërdorë financat e vendit për mbijetesën politike; së dyti, ndarja dhe kontrolli i pushteteve, raporti midis qeverisë dhe gjyqësorit, pasi Kryeministri kërkon të spastrojë gjyqësorin duke aplikuar nxjerrje masive në pension të parakohshëm të gjyqtarëve; së treti, ligji i medias, kontrolli absolut mbi të dhe ngritja e institucioneve penalizuese ndaj mediave kundërshtare; dhe së katërti, mbrojtja e të dhënave personale të qytetarëve, pasi qeveria kërkon të rrisë aksesin e saj në të dhënat personale të tyre.

Këto janë në thelb shqetësime të vetë qytetarëve hungarezë. Kjo vërtetohet qartë nga testimet publike. Kryeministri ka humbur ndjeshëm mbështetjen e publikut. Ai sot nuk konsiderohet zgjidhja e problemeve, por burimi i tyre. Në këtë këndvështrim, shumica e fituar për të qeverisur vendin, nuk mund të shërbejë më si argument për të justifikuar keqpërdorimin e tij.

Është e vërtetë që Orban me shumicën “legjitime” të fituar mund t’i mundë me kartonë, vetëm përkohësisht, të gjitha partitë e tjera politike, mund të ndryshojë Kushtetutën, mund të ndryshojë ligjet me shumicë të cilësuar, mund të vendosë nën kontroll Bankën Qendrore, mund të flakë nga puna mijëra gjyqtarë, mund të ndërtojë sistemin më represiv ndaj medias së pavarur dhe mund të kontrollojë deri në detaje jetën e çdo kundërshtari të tij politik.

Aktualisht edhe reagimi publik në Hungari i opozitës apo i opinionit publik është i dobët. Instrumentet kushtetuese për ta ndalur Kryeministrin Orban në ndërmarrjen e këtyre veprimeve janë aktualisht të pamundura. Shqetësimi bëhet më i madh po të kemi parasysh se në të ardhmen arritja e shumicave të tilla parlamentare është e vështirë.

Pikërisht këtu merr vlerë rëndësia jetike e projektit të BE-së për të promovuar dhe konsoliduar standardet më të mira të demokracisë në vendet e saj anëtare dhe në ato që synojnë t’i bashkohen. Vetëm BE-ja mund ta ndalojë qeverinë hungareze të mos vazhdojë të përkeqësojë atë që është duke bërë keq krahasuar me standardet e saj të qartësuara në kriteret e Mastrihtit. Është BE-ja e cila po i kërkon Orbanit të rishikojë ligjet që cenojnë ndarjen dhe balancën e pushteteve, ligjet që dobësojnë institucionet dhe rrisin arbitraritetin e qeverisë mbi institucionet e rëndësishme kushtetuese.

Edhe pse në drejtimin e BE-se janë në shumicë përfaqësues të së djathtës, ata janë qartësisht kategorikë kundër politikave të Orbanit. Një vlerë pozitive e shtuar e BE-së është fakti se në gjykimin e çështjeve dhe qëndrimeve politike të saj, ajo vepron jo në raport me përfaqësimet e anuara partiake, por në raport me standardet dhe kriteret e Mastrihtit. BE-ja, në rastin e Hungarisë, fitoi edhe mbështetjen e FMN-së, e cila, kërkesës së qeverisë hungareze për një paketë ndihme për krizën e saj ekonomike, veç kërkesave strikte për reformat ekonomike, i shtoi edhe një kriter politik. Kreu i FMN-së, znj. Legard, theksoi se Hungaria duhet të respektojë shqetësimet e BE-së, përpara se të shpresojë të marrë ndonjë ndihmë financiare nga FMN-ja.(//www.imf.org/external/np/sec/pr/2012/pr1207.htm) Ky koordinim, harmonizim dhe unifikim qëndrimesh midis institucioneve ndërkombëtare, rrit efikasitetin e masave të tyre ndaj qeverive që rrezikojnë zhvillimet demokratike në vendet e tyre.

Ja pse në disa raste gjëja e parë që bëjnë disa kryeministra është reduktimi në minimum i bashkëpunimit me këto institucione. Këta politikanë “përkohësisht” të gjithëpushtetshëm i tremben çdo kufizimi të pushtetit të tyre. Duke cenuar themelet e shtetit të së drejtës për të ndërtuar “mbretëritë e tyre autoritare”, këta politikanë kërcënojnë të ardhmen e vendeve të tyre.

Ja pse duhet ta analizojmë me kujdes rastin e Hungarisë. Jo thjesht se kemi qenë vende ish-komuniste, por sepse rrezikohemi në mënyrë të përsëritur nga të njëjtat sëmundje të lidershipit politik. Rasti i Hungarisë tregon se sa lehtë mund të keqpërdoren “shumicat e cilësuara” për të cenuar cilësinë e standardeve të demokracisë, aq më tepër në vendet tona me institucione të dobëta.

Momentet e krizave ekonomike përbëjnë një risk që mentalitete populiste dhe nacionaliste të marrin përkohësisht edhe mbështetjen popullore, por në çdo rast kjo mbështetje u jepet bazuar te shpresa për t’i nxjerrë nga kriza dhe jo për të prodhuar kriza.

Rreziqet e udhëheqësve autoritaristë, populistë dhe nacionalistë që përfitojnë nga krizat për të rritur pushtetin absolut në duart e tyre, do të jenë në rritje për aq kohë sa sfidat sociale, papunësia, thellimi i pabarazisë dhe varfëria nuk do të gjejnë zgjidhje optimale të qëndrueshme.

Qëndrimi konkret i BE-së ndaj Kryeministrit hungarez Orban, në mbrojtje të demokracisë dhe për të mos lejuar përkeqësimin e ndarjes, balancës dhe kontrollit të pushteteve, duhet të na qartësojë edhe ne pse integrimi në BE është kaq jetik për vendet tona dhe çfarë realisht përfitojmë kur jemi pjesë e saj. Ne duhet të bindemi se BE-ja mund të jetë garanti jonë në sfidat për të ardhmen, ndaj duhet të mos pengohemi dhe vonohemi në integrimin e vendit tonë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel