Spiropali doli kundër Ramës, Grida Duma ngre pyetjen: Ka ambicie për kreun apo është keqkuptuar?

30/04/2026 22:09

Në nisje të “Top Story”, moderatorja Grida Duma komentoi situatën e brendshme në Partinë Socialiste, me përplasjet të cilat u vunë në dukje nga ish-ministrja Spiropali.

Grida Duma ngriti pyetjen nëse lëvizja e deputetes ishte u duhura strategjikisht dhe politikisht dhe se sa mbështetje ka ajo fryma e krijuar nga reagimi i saj brenda PS?

“Sonte pa diskutim na duhet të zgjerojmë diskutimin për sa i përket asaj që ndodh në dy partitë e mëdha. Sigurisht ka një relativizëm kur them të mëdha, sepse tashmë ne do t’i afrohemi një kilometrazhi elektoral për të kuptuar se sa e madhe është Partia Socialiste përkundrejt Partisë Demokratike. Sidomos kur të shikojmë se si do të jenë ndryshimet e nëndheshme në kodin elektoral, ku dy partitë do të ndërmarrin ndryshimet që priten të asgjësojnë partitë e vogla siç do të thonin kritikët e tyre.

Do t’ia arrijnë apo jo, kjo është për tu parë në dritën e turbulencave të brendshme që kanë këto dy parti, kredencialeve të jashtme që i japin publikut dhe shqiptarëve nëse do të kenë vërtet impakt kredibiliteti, i asaj që ndodh në demokracinë e tyre të brendshme, sa i përket vlerës së tyre si aset politik i Shqipërisë. Për PS ajo që vinin bast shumica e atyre që ndjekin politikën dhe nuk janë pak në Shqipëri, ishte a do të reagonte, Elisa Spiropali pas qartësisë së Edi Ramës për t’i thënë “boll sepse jemi deri diku në një ‘vijë të kuqe’”.

Dhe ajo reagoi, a bëri veprimin e duhur strategjikisht dhe politikisht? A bëri një lëvizje politike që përfaqëson më shumë se sa një individ që është ajo vetë? A po tregon një frymë dhe mendon që mund të jetë në krye të kësaj fryme dhe këtij frymëzimi? A ka kolegë apo struktura që e mbështesin? A është jo brenda një ambicie personale e keqkuptuar shumë sa i përket rolit dhe rëndësisë që ka në PS?”

Top Channel