Rend përmes mohimit të drejtësisë

20/01/2012 00:00

Arbër Zaimi – Situata e përgjithshme pas 14 janarit ndihet e rëndë, gati-gati
penguese, mospranuese e përshkrimeve dhe rrëfimeve mbi atë çka ngjau atë
ditë në Merdar e te Dheu i Bardhë.

Një mori fjalësh e pallavrash, shkrimesh e paçavuresh, lajmesh e gënjeshtrash, mendimesh e opinionesh… krijon një qerthull aq marramendës saqë nis të të pështjellohet e të të përzihet stomaku e truri, fillon të të duket se s’ka pasur aty kurrfarë të vërtete për të cilën t’ia vlente përballja me gjithë atë dhunë policore, po vetëm përralla përmbi përralla, të duket që edhe dëshmia jote si pjesëmarrës është disi e mjegullt. E më pas vijnë mediat, rrjetet sociale, relativizimi banal, dhe gjithë logjika që strukturohet mbi cliche dhe etiketime të shpejta e evazive: “edhe mirë… po edhe keq…”; “edhe ata… po edhe ju…”; “edhe e drejtë… po ka dhe gabime…”

E vërteta ka qenë aty atë ditë, dhe ajo ende është aty, kemi apo nuk kemi ne sy të fortë sa për të arritur ta shohim, kemi apo nuk kemi veshë për të dëgjuar, përtej aftësisë “dekonstruktiviste” e “çmitizuese” që e paskemi të gjithë kaq shumë të zhvilluar – një sens i gjashtë, që në fakt ekuilibron mangësinë e aftësisë në shqisat e para, një çyrykllëk që i mbetet shoqërisë bashkë me cinizmin, depresionin, deluzionin, këto pasoja të pashmangura të përplasjes së fortë me shpresën për pavarësi, me shpresën për bashkim, me shpresën për mirëqenie, me shpresën për republikë… me shpresën e përbotshme për liri, barazi e vëllazëri. Me shpresën që qëlloi e zbrazët, jo nga vetvetja, po nga fakti që e mishëruam tek individët. E individi për nga natyra është i kufizuar, jomeritor për të qenë bartës i asaj shpresës sublime – limfë jetësore për popujt.

Të katandisur në individë, (të reduktuar në idiotë – njerëz që shohin veç punën e tyre, siç do të thotë dhe fjala) shumë s’janë në gjendje të marrin vesh ç’ndodhi, mirëpo ja që pati dhe një perspektivë publike, ja që pati një popull – që në fakt në ato momente u shfaq si i vetmi popull i aftë për të thënë qartësisht të vërtetën. Një popull që u ngrit sërish për shpresën e vjetër, atë të papërmbushurën. Për republikë.

Shumë vende në botë sot janë të parepublikta, e ndër to edhe Kosova. Një lidhje e shpejtë shpjeguese do të ishte që shpirti, ideja apo e vërteta e Republikës qëndron te fakti që është e popullit, publica, populica dhe Kosovës na i mungoka populli, për pasojë i mungon edhe “Gjëja e popullit”, republika. Mirëpo ky shpjegim është i pasaktë. Kosova e ka popullin e saj, është ai popull që ia punon tokat, ai popull që ia banon fshatrat e qytetet, ai që është bartës i një historie e kulture të caktuar, ai popull që e bën Tadiçin të tingëllojë aq absurd kur deklaron prej Deçanit se “Kosova është Serbi”. Nuk mungon pra populli, por “gjëja” që nuk është e popullit. Ky popull nuk pyetet për asgjë, që prej Kushtetutës, formës së regjimit – që janë gjëra thelbësore – deri te flamuri apo himni – që janë gjëra simbolike.

Pushteti, duke qenë i themeluar gjetiu, duke mos e marrë kurrë legjitimitetin e popullit, natyrisht që i shfaq gjithë dukuritë karakteristike të rasteve të tilla. Ato dolën në sipërfaqe edhe më 14 janar në Merdar e te Dheu i Bardhë. Policia, në sy të të gjithëve, pa u drojtur as para kamerave, ushtroi dhunë mbi popullin që kish dalë në protestë në mbrojtje të një vendimi të Parlamentit të Kosovës, po që mbi të gjitha kishte dalë në protestë në mbrojtje të dinjitetit të vet, kundër një regjimi ekonomik varfërues. Sepse populli, me ose pa vendimin e Parlamentit, e ndien mbi lëkurë mjerimin që rrjedh prej tregtisë së lirë mes Kosovës e Serbisë – shifrat e konfirmojnë këtë, po jo se janë më të rëndësishmet. Nëse në thelb të kolonializmit qëndron shfrytëzimi ekonomik, prej të cilit rrjedhin edhe pamundësitë sociale, kulturore e politike, atëherë duhet kuptuar që Kosova është ende një koloni. Por jo një koloni tradicionale. Ky është niveli modern i shfrytëzimit, i pandryshuar në thelb, por veç në shfaqje, kolonia 2.0.

Ata flasin për rend, justifikojnë Thaçin që herën e kaluar përdori policinë speciale, gaz lotsjellës e ujë në temperatura nën zero, ndërsa kësaj radhe do të përdorë edhe forcat ushtarake, FSK-në. Mirëpo çfarë rendi është ky? Duhet bërë e qartë një lloj dialektike përbrenda të njëjtit koncept – atij të rendit – me të cilin u përballëm brutalisht më 14 janar, por jo vetëm. Aktivistët e emancipimit, që nga çlirimtarët e kolonive në Afrikë e në Amerikën Latine, e deri tek emancipuesit e shoqërisë më “perëndimore” që ekziston, asaj amerikane vënë në dukje dy lloje të rendit. Është rendi negativ, ku policia e organet e shtetit ndërhyjnë për të vendosur “paqen” pa drejtësi, qoftë kjo dhe drejtësi formale – dhe është rendi pozitiv, paqja që vjen pasi është vënë në vend drejtësia, pasi është respektuar “kontrata sociale” (këtu Thaçi mund ta gjejë një rrugëdalje, sepse ai s’ka nënshkruar kurrfarë kontrate sociale me popullin që qeveris). Rasti i Kosovës në janar të 2012-s është rasti i një rendi negativ, e një të tillë fenomen ky vend e njeh mirë për shkak të historisë së vet të largët e të afërme.

Kryeministri, ministrat, mediat dhe opinionbërësit pranë tij, pra i gjithë aparati i pushtetit, e paraqiti protestën – jo si një të drejtë të zakonshme, të përhershme, të gjithkujt – por si një të drejtë speciale, që e meritojnë vetëm disa. Specifikisht e meritojnë ata që nuk e rrezikojnë kolltukun e ngrohtë të Thaçit.

Ata flasin për të drejtë të lëvizjes së mallrave a thua se kjo është më e rëndësishme se e drejta për subjektivitet politik, për demokraci, për organizim qytetar, për dinjitet? Natyrisht, për majmjen e tyre mallrat janë më të rëndësishme se krejt këto. Ata flasin për dialog me Europën e SHBA-në, por harrojnë që të dyja këto gjenden aty ku janë sot, pikërisht në sajë të përpjekjeve të mijëra protestuesve që përmes aktivizmit qytetar, mosbindjes civile e deri te sakrifica më të mëdha, kanë mundur të mbushin me përmbajtje demokracitë, që përndryshe do të kishin qenë struktura të kota. Të mos kishin qenë protestat e panumërta me në krye MLK apo Malcolm X për shembull, sot Obama ndoshta s’do të mbante pushtetin mbi hegjemonin botëror. Të mos kishin qenë protestat e vazhdueshme të qytetarëve të vendeve europiane në mbrojtje të të drejtave të emigrantëve, sot bashkatdhetarët tanë nëpër BE do të quheshin qytetarë të dorës së dytë.

Të paarsyeshëm, mbështetësit e qeverisë flasin për rend, për një farë rendi histerik që rreket të garantojë despotizmin. Ata flasin për realpolitikë, por nënkuptojnë banalpolitikë, e përpiqen të ngrenë mite që në mos e mohojnë krejtësisht, përpiqen ta shtyjnë të drejtën e popullit të Kosovës për t’u vetëpohuar. Ata thonë se gjetiu, në zemër të botës tash po luhen lojëra të mëdha e të rëndësishme, e ne duhet të presim që ato të mbarojnë. Po ç’janë këto lojëra? A jemi ne pjesë e tyre si “lojtarë” a thjesht si “top futbolli”. Si do të shpëtojmë prej pasionit sportiv të lojërave të të mëdhenjve nëse vazhdojmë me të tilla qeverisje të paprincipta, të paprogramta, të parepublikta?

Një gjë është e sigurt, rendi negativ i vendosur nga Kryeministri ka për të pjellë fundin e vetë atij. Tentativa për të vendosur nën hyqëm qytetarët nuk i ka rezultuar frytdhënëse në vende të tjera asnjë kolegu të Thaçit në 2011-n, e nuk ka për t’i rezultuar kështu as Thaçit.

E vërteta e qytetarëve do të shfaqet sërish më 22 janar në Merdar e te Dheu i Bardhë, e vërteta e mjerimit, e vërteta e padinjitetshme e mospasjes së shtetit tënd, e vuajtjes nën shtetin e tjetrit që sot nuk është më shteti serb, por një vartës ekonomik i tij. Objektiv i kësaj proteste nuk është thjesht të rrëzohet shtypësi, pasi ky mund të zëvendësohet menjëherë nga një tjetër, e kështu me radhë. Objektiv i kësaj proteste është të rrëzohet vetë shtypja në njërën prej shfaqjeve të saj – pra të rrëzohet ajo shtypje irracionale që nuk i lejon shqiptarët e Kosovës që të kenë Republikë, që nuk i lejon të kenë pjesë në vendimmarrje, që i bën popull të mohuar në tokën e tyre, që u ndalon madje edhe të qenët shqiptarë (se këtë identitet e kanë farkëtuar në histori si rezistencë ndaj shtypjes) e u përcakton arbitrarisht të qenët diçka tjetër, në emër të po atij rendi negativ (a stabiliteti) që kërkon t’i zbrazë si subjekte për të prodhuar një paqe të bardhë e bosh. E vërtetë është që kjo nuk është e vetmja shtypje, e që ka edhe beteja të tjera. Por ky fakt nuk ia heq legjitimitetin kërkesës së protestuesve, në fund fare, nëse shfaqjet e shumta e multilineare të shtypjes synojnë t’ia marrin vetvetet subjekteve e t’i reduktojnë ato në formë, atëherë edhe subjektet që duan të çlirohen janë të detyruara të luftojnë kundër secilës shfaqje të shtypjes, në mënyrë që ta reduktojnë atë në minimumin e vet para se ta mposhtin.

Top Channel