Përshkallëzimi i protestave kundër masave shtrënguese në Rumani ka detyruar autoritetet që të thërrasin një mbledhje urgjente të kabinetit ditën e hënë.

Gjatë fundjavës, disa dhjetëra mijëra njerëz protestuan në rrugët kryesore të Bukureshtit, me shumë të tjerë që u solidarizuan në qytetet e tjera rumune.

Protestat degjeneruan në hedhje gurësh dhe konflikt fizik me policinë, e cila ka arrestuar të paktën 30 demonstrues. Me dhjetëra janë shoqëruar në spital për plagët e marra.

Fillimisht, protesta nisi si një solidarizim ndaj Raed Arafatit, një mjeku palestinez të mbërritur në vend në vitet 1980, i cili është një prej figurave më të dashura midis rumunëve.

Megjithatë, ai u detyrua të jepte dorëheqjen gjatë javës nga roli i tij i Zvs/Ministrit të Shëndetësisë, pas një serie sulmesh publike ndaj tij, prej Presidentit Traian Basescu.

Pavarësisht se demonstratat nisën në mënyrë spontane, lëvizja ka marrë një karakter shumë më masiv, ndërsa janë hedhur kërkesa me karakter ekonomik dhe politik.

Mijërat e protestuesve kërkojnë dorëheqjen e Presidentit Basescu dhe zgjedhje të parakohshme. Kreu i shtetit rumun është vendosur edhe më parë në qendër të kritikave, për shkak të deklaratave të tij diskriminuese ndaj romëve, të cilët kanë një komunitet prej disa milionë banorësh në vendin ballkanik me 22 milion banorë.

Top Channel