Ngecja e rritjes ekonomike

13/01/2012 08:15

Qeveria nuk do të ketë mundësi këtë vit të mburret me rritjen më të lartë ekonomike në Europë, për shkak se, sipas parashikimeve të Bankës Botërore, Shqipëria ka zbritur nga maja e renditjes në mesin e tabelës, duke u lënë pas nga Maqedonia e Kosova.

Lajmin e raportoi në numrin e së premtes e përditshmja “Shqip”. Pothuajse në çdo konferencë për shtyp, qëllon që gazetarët simpatizantë me qeverinë i vënë ekonomistët para pyetjes me përgjigje brenda: “Si është rritja ekonomike e Shqipërisë në krahasim me vendet e tjera të rajonit”.

Gjatë vitit 2009, kjo pyetje prodhonte gjithmonë përgjigjen se Shqipëria e ka rritjen më të lartë në kontinent. Por, kjo pyetje dje u përball me një përgjigje të papritur.

“Në raportin e rregullt ekonomik ne kemi paraqitur disa parashikime ekonomike”, tha ekonomisti i Bankës Botërore, Ron Hood, në konferencën e djeshme për shtyp. “Kemi parashikime për 2% rritje ekonomike për vitin 2012. Për gjashtë vendet e rajonit mesatarja ishte 2.1% dhe Shqipëria është te mesatarja. Bosnja ishte në fund dhe Maqedonia ishte në majë. Edhe Kosova ishte në majë, por ata vijnë nga një bazë mjaft e ulët”, tha Hood.

Rritja ekonomike e Shqipërisë ka qenë mbi 6 për qind gjatë periudhës 2000-2008, por ra në 2.5-3.5 për qind në dy vitet në vijim dhe vlerësohet se ka qenë edhe më e ulët gjatë vitit 2011.

Vendet fqinje me Shqipërinë shtrënguan rripin gjatë vitit 2009 dhe u përgatitën të përballonin furtunën, gjë që solli stanjacion dhe në disa raste edhe rënie ekonomike për atë vit. Shqipëria mori para borxh dhe rrjedhimisht e rriti ekonominë gjatë vitit 2009, por i duhet të shlyejë këto borxhe tani, gjë që nënkupton rritje më të ngadaltë ekonomike se sa vendet fqinje.

“Më duhet të them se mundësia e gabimit në këto parashikime është e madhe, sepse bota është bërë e paqartë ose e pasigurt. Edhe në vendet e zhvilluara situata është e ndryshueshme. Unë nuk mbaj mend të ketë pasur ndonjë periudhë tjetër kur parashikimet janë ndërruar çdo pesë minuta”, tha Hood dje.

“Që të jem i sinqertë, më duhet të shtoj se rreziqet flasin gjithashtu për tendencë negative”, shtoi ai.
Borko Handjinski, një ekonomist tjetër, pjesë e delegacionit të BB, tha se rritja ekonomike e Shqipërisë për këtë vit varet nga çfarë do të ndodhë në Eurozonë, nga ku Shqipëria fiton remitancat, investimet e huaja të drejtpërdrejta dhe kreditë private.

“Rritja nominale është realiste pranë parashikimit tonë. Por kjo rritje është bazuar në supozimin se Bashkimi Europian do të vijojë të rritet. Nëse rritja ekonomike në Eurozonë ndodh, atëherë parashikimi i Shqipërisë është i arritshëm, por nëse nuk ndodh, atëherë nuk është realist”, tha Handjinski.

Ekspertët e Bankës Botërore nuk dhanë një shifër konkrete mbi sasinë e kredive që mund të merren, por bënë të ditur se disa kredi janë në tavolinë dhe se qeveria ka kërkuar t’i marrë të tëra. Sipas përfaqësueses së përhershme të BB-së në Tiranë, Kseniya Lvovsky, ndihma mund të jetë edhe më e madhe se 100 milionë dollarë. “Kam dëgjuar nga media se ndihma jonë mund të jetë 100 milionë dollarë”, tha ajo pas pyetjeve të përsëritura të gazetarëve mbi shumën. “Mund t’ju them se bëhet fjalë për shumë kredi që mund të arrijnë edhe më shumë se kaq”, shtoi ajo.

Shuma prej 100 milionë dollarësh është e mjaftueshme të shkaktojë një rritje ekonomike të drejtpërdrejtë prej 0.8 për qind, ndërsa efekti final mund të jetë më i madh, për shkak të qarkullimit të mëtejshëm të këtyre parave në ekonomi, pasi të jenë shpenzuar nga qeveria.

Top Channel