Pse shqiptarët kanë festa më shumë se të tjerët?

05/01/2012 00:00

Mustafa Nano – Pushime të gjata, tmerrësisht të gjata, këto të fund e fillimvitit, në
të cilat ne kemi kohë të argëtohemi e të harbojmë, e më pas t’i
dorëzohemi një plogështie të pashpjegueshme.

Shkrehja e squllja fillojnë qysh gjatë Kërshëndellave, theksohen më datë 30 dhjetor, shndërrohen në modus vivendi më datë 31 dhjetor, 1 e 2 janar, fillojnë e japin shpirt më datë 3 e 4, por do duhet të vijë data 5 që shqiptarët të rikuperojnë ritmin e zakonshëm të punës e të aktivitetit. Në datë 2 janar mund të gjesh hapur ndonjë bar, më datë 3 ndonjë furrë buke, më datë 4 hapen do restorante, supermerkate, e zyrat e administratës (jo të tëra). Sot, më datë 5, panorama e jetës bëhet më e plotë. Ja, dalin dhe gazetat, të cilat këtë interval kalendarik e shohin si të vetmin, në të cilin mund t’i lejojnë vetes një pauzë. Vetëm se një pauzë kaq e gjatë për shtypin nuk është shumë logjike. Duhet të jetë diktati i shtypshkronjave, apo i logjistikës së sektorit në përgjithësi, që e prodhojnë këtë situatë në dëm të informacionit.

Por nuk është ky argumenti, tek i cili dua të ndalem. Argumenti është ky holiday që zgjatet e zgjatet e zgjatet. Janë gati pesë ditë të plota, që një komb i tërë i dorëzohet stilit të jetesës “rri të rrimë”. Asnjë komb tjetër nuk do t’ia falte vetes këtë gjë, dhe nuk është se kjo shpjegohet me etikën Weber-iane të protestantëve të dhënë pas punës për një motiv ‘kulturor’. Jo, janë edhe kombet e tjera jo protestante që nuk ia falin vetes këtë përgjumje. Pseja në këtë mes duhet kërkuar më së pari te logjika ekonomike (njerëzit kur pushojnë, nuk prodhojnë). Kjo nuk i ka bërë të tjerët që të mos bëjnë pushime; përkundrazi, të gjithë bëjnë pushime në ditë që për çdo komb kanë një simbolikë të caktuar laike, fetare, nacionale, shtetërore etj. Festat janë të rëndësishme kudo, dhe jo vetëm me funksionin rekreativ, por edhe në kuptime të tjera. Qëllon shpesh që një festë e caktuar të ketë një rol pajtues e unifikues për gjithë kombin, i cili në rrethana normale jeton me logjikë ‘sektare’ (për shkak të politikës, fesë, orientimit kulturor, identiteteve të forta lokale etj., etj). Por prapëseprapë të tjerët bëjnë çmos të bëjnë një kombinim midis nevojës për festat nga njëra anë dhe eficensës ekonomike të kombit nga ana tjetër.

Ne zyrtarisht kemi 14 ditë festive: 1 dhe 2 janari (Viti i Ri), 14 Marsi (Dita e Verës), 22 Marsi (Dita e Nevruzit), 8 prilli (Pashkët katolike), 15 prilli (Pashkët ortodokse), 1 Maji (Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve), 19 gushti (Bajrami i Vogël), 19 Tetori (Lumturimi i Nënë Terezës), 25 tetori (Bajrami i Madh), 28 Nëntori (Pavarësia), 29 Nëntori (Çlirimi i vendit gjatë Luftës së Dytë Botërore), 8 Dhjetori (Dita Kombëtare e Rinisë), 25 Dhjetori (Kërshëndellat).

14 ditë festash nacionale janë shumë. Vende të tjera kanë më pak. Duke përjashtuar Italinë që është një vend sui generis (ka ‘pafundësisht’ festa fetare, një pjesë e të cilave janë vetëm formalisht kombëtare e publike), mund të përmendet Franca me 11, e po kërkon t’i bëjë 10, amerikanët që kanë më pak se 10, Suedia 12, Belgjika po 12, Spanja 11 (ka dhe festa rajonale e lokale, por këtu po flasim për ato që quhen national holidays). Vijmë më afër? Greqia 12, Serbia 12, Sllovenia 13, Mali i Zi 13, Maqedonia 13. Vetëm Kroacia ka 14, por nja dhjetë sosh janë me natyrë fetare, gjë që ka ardhur, ndoshta, si nevojë e kroatëve për të afirmuar një identitet të fortë katolik e një unitet kombëtar rreth këtij identiteti.

Siç shihet, në Ballkan ka pak më tepër festa; është interesante që veç ballkanasit e festojnë Vitin e Ri në dy ditë, në datën 1 e në datën 2. Vendet e tjera bëjnë pushim vetëm 1 janarin. Në datë 2 rifillon vrullshëm jeta. Ndërsa ne shqiptarët kemi krijuar një festival festiv me këtë rast. Nga dy ditë që na janë dhënë zyrtarisht, ne festojmë 4-5-6 ditë. Dhe kështu, nga 14 i çojmë në 20. Madje, edhe më shumë nëse marrim parasysh që një farë pezullimi i jetës nacionale fillon qysh me Kërshëndellat.

Po pse ne kemi më shumë? Mos vallë për shkak të festave fetare? Jo, ka vende që kanë më shumë festa fetare, ndonëse sfondi fetar është njëngjyrësh (fjala vjen Kroacia, që përmendëm). Ne kemi 14, pasi kemi krijuar festa me natyrë ideologjike. Ju besohet që i vetmi vend që ka një festë për të përkujtuar rrëzimin e komunizmit jemi vetëm ne shqiptarët? Epo duhet ta besoni. Nuk kanë një ditë për të përkujtuar këtë ngjarje as polakët, as çekët, as hungarezët, as rumunët etj., etj, të cilët kanë pasur arsye shumë më tepër se sa ne për ta pasur një ditë të tillë, qoftë për faktin që e rrëzuan të parët komunizmin, qoftë dhe për faktin që e rrëzuan realisht atë, e në ndonjë rast me dhunë e viktima. Duket për të qeshur që ne shqiptarët, që qemë të fundit pra që reaguam e u ngritëm e që drejtimin e vendit në periudhën postkomuniste ia lamë në dorë po komunistëve, kemi një ditë për të festuar rënien e komunizmit. Është një festë kotmëkot.

Në të njëjtën mënyrë mund të vihet në diskutim edhe ndonjë festë tjetër, që veçse rrit numrin e ditëve të relaksit për shqiptarët. Dhe këtu vijmë tek aspekti ekonomik. Një ditë pushimi është një kosto e madhe për ekonominë nacionale, e cila zhvillohet e rritet çdo ditë. Sikur ta pjesëtonim GDP-në e vendit me numrin e ditëve të punës, i bie që GDP-ja e krijuar mesatarisht për çdo ditë është rreth 50 milionë dollarë. Mund të llogaritet se vetëm me 4 ditët e harbimit të fund e fillimvitit (duke përjashtuar datën 1 janar si ‘legjitime’) ne i heqim GDP-së sonë afro 200 milionë dollarë. E kemi ne luksin për ta bërë këtë. Me sa duket, po.

Gazeta “Shqip”

Top Channel