Ardit Keqaj nuk mendon për lodra këtë Krishtlindje.“Më shqetëson shtëpia që e kam të vjetër dhe të prishur, minjtë që dalin, banjo që është e prishur…”, thotë Arditi.

Edhe pse është 10 vjeç dhe më i imët në trup se bashkëmoshatarët e tij, dëshirat e tij në këtë prag feste i kapërcejnë ëndërrimet fëminore.

“Po të isha magjistar do rregulloja shtëpinë, do vija pllakat, do rregulloja banjën, do rregulloja dritaret, do merrja një kompjuter, do rregulloja televizorin që e kam të prishur”, tregon 10-vjeçari.

Duket e tepërt të thuash se në shtëpinë e tij nuk ka shenjë feste.

Arditi nuk mendon për vete. Por, vetëm për familjen dhe shtëpinë. Është fëmija i parë dhe i shumëpritur në familjen me origjinë nga Kukësi, pasi ka ardhur në jetë pas 10 vitesh përpjekje të prindërve të tij për t’u bërë me fëmijë.

Ka pikë të dobët mamanë, e cila është me probleme shëndetësore dhe përpiqet të kujdeset për motrën dhe vëllain më të vogël. Problemet ekonomike e vënë në disavantazh veçanërisht kur vjen puna të krahasohet me shokët e tij.
 
“Shokët e klasës janë më të gjatë se unë, më të shëndoshë. Unë kam nerva shumë e prandaj nuk shëndoshem se për të ngrënë bukë unë kam”, thotë Arditi.

Megjithëse nuk mendon për lodra si gjithë vogëlushët e tjerë, po si ata, ai e ka një ëndërr. Një ëndërr që ironikisht del jashtë botës fëminore duke u lidhur me nevojën e tij për mbijetesë: “Kur të rritem dua të bëhem elektriçist që të fitoj lekë.”

Ishte vetëm 1 muajsh kur u bë banor i Shtëpisë së Fëmijës. Tashmë Joriglendius, jeton aty prej 13 vitesh.

Me të mund të bësh biseda çfarëdolloj, me kusht që të mos kapërcesh kufirin e asaj që quhet personale.

Edhe shokëve ua ka bërë të qartë: asnjë pyetje për historinë e tij të origjinës. Në fakt dhe ai s’di shumë përreth saj, përveç pikëpyetjeve ekzistenciale që e shqetësojnë aq më tepër tani, në fazën e krijimit të identitetit. Ditari duket se është miku i tij më i besuar.

“Mbaj ditar ku shkruaj gjërat personale”, thotë Jori.

Në jetën e përditshme ai është adoleshenti që të gjithë prindërit do ta kishin zili. I qetë, i ëmbël, i sjellshëm… me pak fjalë djalë flori. Ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë të tij, e ka shumë të qartë se çfarë do të bëjë me jetën e tij.

“Ëndrra ime është të bëhem futbollist, por dhe të mbaroj një shkollë që të jem i sigurt”, tregon Jori.

Shokët e ngacmojnë se pispilloset shumë, por ai na rrëfen se ende s’ka të dashur: “Nuk kam të dashur. Ka goca që më pëlqejnë, por unë nuk dua se nuk jam në fazën që mund të kem një lidhje.”

Krishtlindjet i pëlqejnë dhe zakonisht merr pjesë në zbukurimin e pemës. Si djalë që është thotë se bukuria e festës qëndron tek plasja e fishekzjarreve me shokët e tij.

Sa për dëshirën, këmbëngul se lutja është për futbollin dhe shkollën. Por, atë dëshirën e vërtetë, ia beson vetëm ditarit të tij.

Top Channel