Studimi i arrorëve, 700 faqe për qindarka

30/11/2011 08:00

Studimi i Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes Konsumatore për arrorët dhe shegën, përmban 705 faqe, përmbledh informacion të gjithanshëm për këtë sektor, por nuk konfirmon në asnjë rast pretendimin e Kryeministrit për mbjelljen e 200 milionë rrënjëve. Studimi, i cili u shpërnda së fundmi, është një punim për t’u lavdëruar për nga bollëku i lëndës dhe thellësia e diskutimit, ndërkohë që çështja me të cilën merret, konsiderohet si “periferike” nga ekspertët e tjerë.

I ndarë në 11 kapituj, studimi jep një panoramë të përgjithshme të Shqipërisë, një panoramë të gjendjes së arrorëve, tregut botëror dhe atij shqiptar, shpjegim për vlerat ushqyese të këtij fruti etj. Sipas gazetës ‘Shqip’, studimi thekson në disa raste se statistikat në lidhje me arrat, gështenjat apo shegët janë të pakta. Tregu i këtyre produkteve është i vogël, importet dhe eksportet janë në rendin e pak miliona dollarëve, një qindarkë kjo në krahasim me importet ushqimore të Shqipërisë, të cilat arrijnë në 700 milionë dollarë në vit.

Studimi i Ministrisë së Bujqësisë u ndërmor pasi Kryeministri Sali Berisha deklaroi se ai besonte se vendi ynë ka potencial të madh për të shfrytëzuar tokën e pafrytshme kodrinore për të mbjellë arra, shegë, lajthi etj. Ministria e Bujqësisë i kanalizoi të gjitha fondet e subvencionimit për bujqësinë, të cilat arrijnë në rreth 5 milionë dollarë në vit, në mbjelljen e këtyre frutave, të cilat u rekomanduan nga Kryeministri. Vetëm pasi Kryeministri e tha fjalën e tij dhe plani i mbjelljeve u saktësua, fjala iu dha ekspertëve, të cilët përgatitën një raport që, ndonëse niset nga nevoja për të justifikuar fjalimet e Kryeministrit, nuk e bën një gjë të tillë.

“Statistikat në dispozicion mbi prodhimin e arrave në Shqipëri janë të kufizuara, megjithatë është vlerësuar se ka rreth 50 mijë pemë të kultivuara që prodhojnë arra, të cilat mbulojnë një sipërfaqe prej rreth 500 hektarësh. Është vlerësuar se ka edhe rreth 94 mijë pemë në formën e pyjeve në rritje, duke mbuluar një sipërfaqe të llogaritur prej 1350 hektarësh. Nuk ka të dhëna të plota në dispozicion mbi ndryshimin në prodhim nëpër vite, pra prodhimin e vazhdueshëm të korrur”, thuhet në faqen 160 të studimit. E njëjta gjë vlen edhe për gështenjat, të cilat, si produkte periferike, askush nuk është kujtuar gjatë viteve t’i numërojë.

Studimi vlerëson se në Shqipëri prodhohen rreth 1600 tonë arra në vit dhe se fshatarët marrin rreth 200 lekë për kg arra të thara pasi i kanë hequr lëvozhgën. Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka importuar arra me vlerë prej afërsisht 1 milion dollarësh në vit. Shqipëria rezulton se ka edhe 177 mijë hektarë me pyje gështenjash dhe një prodhim vjetor të vlerësuar në 2500-3000 tonë. Shqipëria eksporton rreth 900 tonë gështenja në vit dhe importon rreth 100 tonë.

“Statistikat në dispozicion në lidhje me prodhimin e lajthive në Shqipëri janë të kufizuara, por është vlerësuar se ka rreth 133 mijë rrënjë lajthish me një prodhim prej rreth 15 kv/ha në vit. Pemishtet e lajthive kryesisht mund të gjenden në rrethet e Fierit, Korçës, Pogradecit dhe Gjirokastrës”, thuhet në studim. Shqipëria rezulton se importon 61 tonë lajthi në vit me vlerë 230 mijë dollarë.

Studimi vlerëson se në rast se kryhet investimi mbi arrorët, 1765 vende pune do të krijohen nga të cilat, 925 vende pune janë në bujqësi dhe 840 janë në përpunim. Të tërë këto të punësuar do të përfitojnë, sipas studimit, do të përfitojnë pas maturimit të investimit 14.4 milionë dollarë paga në vit. Por në total, raporti beson se vendi do të fitojë 161 milionë dollarë eksporte në vit, ndërsa vlera e shtuar e këtij sektori rezulton 291 milionë.

Top Channel