Ish-presidenti i Bregut të Fildishtë, Laurent Gbagbo, mbërriti të mërkurën në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, ku do të përballet me një gjyq që do të hetojë rolin e tij në dhunën paszgjedhore që përfshiu vendin.
Disa mijëra persona mbetën të vrarë në pasi Gbagbo refuzoi të njihte rezultatin e zgjedhjeve, që panë si fitues rivalin e tij politik, Alassaine Ouattara. “Ka kaluar ekzaktësisht një vit që prej zgjedhjeve presidenciale që i hapën rrugën një prej episodeve të dhunës më të tmerrshëm që ka njohur ndonjëherë Bregu i Fildishtë”, deklaroi Kryeprokurori Luis Moreno-Ocampo. “Në dhjetor të vitit të shkuar, kërkuam arrestimin e Gbagbos dhe sot, ai do të përballet me drejtësinë”.
Gbagbo mbërriti në Hagë me një avion nga qyteti verior i Kogors, ku mbahej nën arrest shtëpiak. Bashkëpunëtori i tij i afër, Toussaint Alain, kundërshtoi transferimin dhe e cilësoi atë si të paligjshëm. “Gjykata e Hagës nuk e kishte juridiksionin për të bërë këtë ekstradim. Ky është një vendim politik dhe jo ligjor”, deklaroi ai. Tre parti në koalicion me Gbagbon deklaruan se do të bojkotojnë zgjedhjen si rrjedhojë e transferimit të tij.
Pritet që Gbagbo të ngarkohet me akuzën e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit. Më shumë se tre mijë persona humbën jetën në krizën paszgjedhore në vendin e Afrikës Perëndimore.
Top Channel