Referendum për plehrat

23/11/2011 18:30

Me hyrjen në fuqi të ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve, Aleanca Kundër Importit të Plehrave ka nisur punën për hartimin e kërkesës për referendum popullor kundër nenit 49 të këtij ligji që lejon importin e mbeturinave.

Një ndër nismëtarët e kësaj lëvizje, analisti Blendi Kajsiu tha për Top Neës se ndër 12 firmëtarët e kërkesës për referendum është dhe ish-presidenti i Republikës, zoti Alfred Moisiu.

Sipas Kajsiut, brenda muajit nëntor, kjo kërkesë do të depozitohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Kajsiu ka shpjeguar se kërkesa për referendum është një e drejtë kushtetuese, dhe kauza për të ndaluar kthimin e vendit në një vendgrumbullim plehrash është cështje kombëtare.

Për ketë arsye, ai tha se këto arsye do të jenë baza e fortë e kërkesës e cila sipas tij do të jetë shumë e vështirë për t’u rrëzuar.

Sipas drejtuesve të Aleancës Kundër Importit të Plehrave, nëse kërkesa për referendum miratohet, brenda muajit mars do të sigurohen 50 mijë firmat që do të mundësojnë zhvillimin e referendumit kundër importit të plehrave.

Top Channel